Presidenti rus Vladimir Putin ka komentuar për herë të parë vrasjen e komentatores politike Darya Dugina, e cila u vra në një sulm me makinë bombë pranë Moskës të shtunën.

Putin të hënën i dërgoi ngushëllimet e tij familjes së Dugina-s, duke e quajtur vdekjen e saj “një krim të poshtër dhe mizor”.

Dugina ishte vajza e ultranacionalistit të shquar rus Alexander Dugin.

Shërbimet Federale të Sigurisë Ruse më herët të hënën fajësuan shërbimet ukrainase të sigurisë për sulmin. Ruslan Muzychuk, zëdhënës i Gardës Kombëtare të Ukrainës, i tha CNN se autoritetet ukrainase për momentin nuk kanë asnjë përgjigje ndaj pretendimit.

Në një deklaratë të botuar në kanalin Telegram të Kremlinit, Putin tha: “Një krim i poshtër, mizor shkurtoi jetën e Daria Dugina-s, një personi të zgjuar, të talentuar me një zemër të vërtetë ruse – e sjellshme, e dashur, simpatike dhe e hapur”.

“Gazetare, shkencëtare, filozofe, korrespondente lufte, ajo i shërbeu me ndershmëri popullit, Atdheut, e vërtetoi me vepër se çfarë do të thotë të jesh patriot i Rusisë”, shtoi ai.