Presidenti francez Emmanuel Macron është pritur mëngjesin e sotëm nga presidenti Bajram Begaj, përmes një ceremoni zyrtare.

Sipas axhendës, Macron do të nënshkruajë në librin e të ftuarve. Më pas do të ketë një takim kokë më kokë mes dy Presidentëve.

Pas Begajt, Presidenti Macron do të takohet me Kryeministrin Edi Rama në orën 10:30 në Kryeministri, ku do të nënshkruajnë marrëveshje ekonomike dhe bashkëpunimi mes dy vendeve.

Në orën 11:30 do të zhvillohet konferenca për shtyp mes Macron dhe kryeministrit Edi Rama. Emmanuel Macron ka mbërritur pasditen e djeshme në Shqipëri. Ai u prit në aeroportin “Nënë Tereza” nga zv/kryeministrja Belinda Balluku.

Më pas, kreu i shtetit francez është pritur nga kryeministri Edi Rama dhe bashkëshortja e tij, Linda në ambientet e Pallatit të Brigadave. Aty u zhvillua një ceremoni, ku Macron i dorëzoi shkrimtarit Ismail Kadare Dekoratën e “Oficerit të Madh të Legjionit të Nderit”.

Macron nuk ishte i pranishëm në punimet e Samitit të Procesit të Berlinit që u zhvillua në ambientet e Piramidës së Tiranës.