Vlera në treg e Meta bie me $230 miliardë brenda ditës

Çmimi i aksioneve të Meta, kompanisë mëmë të Facebook, WhatsApp, Instagram dhe Messenger, ra më tepër se 25% në mëngjesin e ditës së enjte. Kjo rënie erdhi në mënyrë të menjëhershme pasi kompania tregoi se numri i përdoruesve ditor aktivë në Facebook ra për herë të parë që nga krijimi i platformës. Deri në momentin që tregjet u mbyllën, vlera e kompanisë në treg pa një rënie prej $230 miliardë, dhe kjo është rënia më e madhe e vlerës brenda një dite për një kompani amerikane.

Kompania nuk ka arritur të jetë një pjesë e rëndësishme në jetët e adoleshentëve, gjë që shpjegon dhe uljen e numrit të përdoruesve ditorë aktivë në platformë (nga 1.93 miliardë përdorues aktiv në Q3 të 2021 në 1.929 miliardë në Q4 të po atij viti). “Tashmë njerëzit kanë shumë zgjedhje për të kaluar kohën e tyre të lirë, dhe aplikacionet si TikTok po rriten shumë shpejt.” tha Mark Zuckerberg.

Një tjetër goditje e fortë për Meta ishin ndryshimet që Apple bëri në politikat e saja të reklamimit. CFO David Wehner tha se Meta me shumë mundësi do të humbasë më tepër se $10 miliardë në shitje si rezultat i rregullave të reja të iOS.

Kjo është një humbje shumë e madhe për Meta, por gjithsesi ne nuk duhet të harrojmë se kompania vlen $671 miliardë të tjera dhe ka regjistruar përfitime prej $40 miliardë gjatë vitit 2021.