Për rastin e ndalimit të grupit të xhirimit, “Stop” solli sot investigimin, që çoi stafin në Elbasan, e për të cilin, prokurorët e përfshirë njoftuan, se ishte një makinë e dyshimtë para prokurorisë. Ngjarja e ka zanafillën në Polis të Elbasanit dhe ka ndodhur më 11 Janar 2018.

Pronari i një sasie të madhe cigaresh, me ndihmën e “Stop” demaskoi zyrtarët e hetimit, të cilët u korruptuan nga i dyshuari kryesor i vjedhjes, Ismail Balla.https://www.youtube.com/embed/13t1rN1C34U

“Fati ndoshta më ndihmoi që rashë shumë shpejt në gjurmët e poseduesit të mallit tim, i cili po e shiste me shumicë këtë produkt. E gjithë puna është nga unë, hetimi është bërë nga unë dhe jo nga policia. Policinë dhe prokurorinë i kam pasur kundra meje sepse nëse do i kisha pasur pranë kjo çështje do kishte mbaruar brenda javës sepse është e provuar dhe e faktuar çdo gjë. Unë kisha shenjat dalluese”, tha denoncuesi.

Cigaret e vjedhura vlera e të cilve shkonte 700 mijë Euro kanë këto karakteristika vit prodhimi 2014 dhe ID e porosisë 60068636.

“Organizova kushërinj dhe të njohurit e mi duke i shpërndarë nëpër zonat përreth Elbasanit. Deri në Durrës u shpërndanë të gjithë. Këta njerëz kur vinin në darkë më sillnin paketat e blera ku kishin shkruajtur dhe mbrapa pikën e shitjes ku kishin blerë. Unë konstatoja dhe shihja shenjat dalluese që kisha. Brenda dy ditësh përfundova tek magazina që e shpërndante këtë produkt. Kjo magazinë ishte në Cërrik dhe personi që shiste mallin tim quhej Ismail Balla”, tha denoncuesi.

Në magazinën e tregtarit nga Cërriku, u gjetën 54 koli cigare, që përputheshin me cigaret e vjedhura, sipas investigimit, që i dëmtuari bëri.

Në 15 Janar 2018, Policia e Elbasanit, e përfaqësuar nga eksperti kriminalist Gentian Hidri, konstatoi në praninë e viktimës dhe të dyshuarit, Ismail Balla, sasinë prej 54 koli cigaresh. Atë natë eksperti Hidri e përcolli denoncuesin dhe të nesërmen bëri bllokimin e cigareve të vjedhura.

Këtu nis dyshimi për korrupsion, pasi eksperti kriminalist Gentian Hidri, ia la në ruajtje cigaret e vjedhura, të dyshuarit kryesor Ismail Balla.

“Kur konstatuam dhe hapëm mbi 20 koli që kishin të njëjtat karakteristika me ato që kisha deklaruar në polici, OPGJ më thotë, Gentian Hidri më thotë kthehemi në komisariat se çdo gjë përfundoi. Ditën e nesërme ky zotëria ka shkuar dhe ka bërë akt bllokimin dhe këtë sasi ky e ka bllokuar dhe e ka lënën nën ruajtje tek hajduti, tek vetë personi, i cili e vodhi”, tha denoncuesi.

“Vjedhja në fshatin Polis u shkatërrua pa nisur mirë hetimin që tek policia. Sipas informacioneve që ka mësuar emisioni “Stop” eksperti kriminalist në Policinë e Elbasanit, Gentian Hidri, i la në ruajtje provën materiale, të dyshuarit kryesor, një procedurë totalisht në shkelje dhe abuzive. Qartë ne kuptojmë që ky ekspert kriminalist, pra zoti Hidri ka favorizuar hapur të dyshuarin kryesor në lidhje me këtë vjedhje. Ritheksojmë është një vjedhje e konsiderueshme edhe në vlerë monetare”, tha gazetari Angjellari.

Gazetari komunikon vetëm me Hidrin.

Gazetari: Bëhet fjalë për një ngjarje që ka ndodhur në 2018 në Polis, një vjedhje me cigare, Ismail Balla është personi që i është gjetur sasia. Tani unë kisha një pyetje, pse i janë lënë në ruajtje personit që dyshohej për këtë vepër penale, sepse  më vonë na del që ai i ka ndryshuar kolitë, ka zhbërë provat. 

Gentian Hidri: Thashë dhe njëherë, ka kaluar shumë kohë dhe nuk mund të flas kështu a priori.

Gazetari: Jo them kështu, në kod penal ose ju kam përshtypjen keni dhe shkollimin përkatës

Gentian Hidri: Tani unë, të lutem një sekondë i nderuar gazetar, unë aktualisht që po flasim bashkë jam në gjendje shëndetësore me probleme, kam një problem timin dhe nuk mund të zgjatem më shumë.

Gazetari: Njohje familjare ose shoqërore keni me zotin Balla?

Gentian Hidri: Nuk bëhet llaf fare, nuk bëhet fjalë fare!

Sipas denoncuesit, Gentian Hidri mbështetej nga prokurorja e çështjes, Pranvera Stafa.

“Ky zotëria, oficeri i Policisë Gjyqësore kishte edhe mbështetjen e prokurores së asaj kohe e cila ishte në çdo veprim e mbështeste. Ka qenë Pranvera Stafa. Kjo ka qenë prokurorja që kur unë shkoja pyesja për ecurinë e procedurave dhe si unë mund të ndihmoj procesin, të më merrte në pyetje, kjo më thoshte s’të kemi thirrur, s’ke pse vjen, kur të kemi diçka të re do të të thërrasim vetë, mos hajde”, tha denoncuesi. 

Ky marifet i dha kohë dhe mundësi, që Ismaili të zëvendësonte kolitë e vjedhura me koli  të tjera, të blera sipas tij, në Fier në Berat.

Ismail Balla: Kjo është magazina.

Gazetari: Kujt ia keni blerë?

Ismail Balla: Kë?

Gazetari: Cigaret.

Ismail Balla: I kemi blerë me faturë TVSH ne.

Gazetari: Ku, në Berat?

Ismail Balla: Në Fier, Skënder Hysenaj.

Gazetari: Kujt ia bleve zotëri?

Ismail Balla: Po pra, unë kam dokumentat, në Fier dhe Berat. Në dy vende.

Por faturat e shitjes nuk përputhen. “Stop” i disponon faturat ku thuhet se në Berat janë blerë më 8 Janar 30 koli ndërsa në Fier më 10 Janar 35 koli. Sipas skanimit të barkodit del se në këtë sasi ka cigare të vitprodhimit 2017-s dhe të vitprodhimit të 2014-s. Aty vërtetohen që 4 koli janë të njëjtat me sasinë e vjedhur në Polis të Elbasanit.

Ka dyshime të arsyetuara se fatura e Fierit është e falsifikuar për të mbuluar sasinë e cigareve të vjedhura që u gjetën në magazinë. “Stop” ka siguruar 3 kopje të faturës. Aty shfaqet emri i blerësit dhe transportuesit që është Islam Balla, shitësi Margeta Topi. Në një faturë tjetër shfaqet vetëm emri i shitësit ndërsa tek fatura e fundit nuk ka asnjë të dhënë të blerësit apo shitësit.

Nëse shihet kaligrafia e shkrimit tek blerësi, transportuesi dhe shitësi, ajo është e njëjtë. Pra ka dyshime se kjo faturë të jetë firmosur nga i njëjti person. Ky fakt na lë të kuptojmë që kjo faturë është bërë në emergjencë e sipër kur sasia e cigareve u gjet nga vetë i dëmtuari në magazinën e Ismail Ballës në Cërrik, kur këtij të fundit iu la kohë nga eksperti Gentian Hidri që cigaret të zëvendësoheshin me cigare të tjera për të humbur gjurmët.

Gazetari e telefonoi Ismail Ballën duke u hequr si nipi i ekspertit Gentian Hidri. Gazetari e porositi të fshinte numrin e ekspertit, pasi rasti po investigohej dhe të thoshte, se nuk e njihte Hidrin.

Gazetari: Ismail si kalove?

Ismail Balla: Mirë!

Gazetari: Ça bëre? Nipi i Gent Hidrit, policit jam.

Ismail Balla: Çkemi xhaxh!

Gazetari: Nuk të merr dot Genti në telefon, se kanë ardhur këta të “Stop”-it, këtu në Prokurori dhe më tha mua për t’u takuar aty në Cërrik, po mund të të vijnë këta të “Stop”-it dhe thuaj që nuk e njeh këtë Gent Hidrin. 

Ismail Balla: Po!

Gazetari: Nuk jeni shokë thuaj d.m.th. Ismailo erdhën ata?

Ismail Balla: Jo, s’ka ardhur njeri, ku je ti? 

Gazetari: Unë jam rrugës po pashë makinën e televizionit se është bërë nami i zi këtu te Prokuroria, donin të kapnin prokurorin edhe Gentiani më tha: Shko foli, që mos të fliste në telefon! 

Ismail Balla: Jo! Unë ika, i thashë çunit aty që nuk është këtu ai.

Gazetari: Po të të pyesin për Gentin mos fol fare.

Ismail Balla: Ta fik fare unë?  

Gazetari: Hiqja numrin fshiji biseda çfarë ke bërë, fshiji se ndoshta nuk e di…

Ismail Balla: Se lajmërova çunin, lashë çunin aty: nuk di gjë thuaj, ka ikur ka punët e veta!

Gazetari: Gjithë kryesorja është këtu që po të thanë se këtu është gjithë kleçka se ti e di si e rregullova me dajën se kështu më tha. Nuk e njoh, kaq.

Kur gazetari i shkon Ismail Ballës, ky i fundit thotë se nuk e njeh fare OPGJ-në.

Ismail Balla: As nuk e njoh fare… As kam numër telefoni fare. S’kam punë, lidhje me ta.

Eksperti kriminalist në policinë e Elbasanit i la në ruajtje provën materiale Ismail Ballës, të dyshuarit kryesor. Shkelje e qartë e procedurës.

“Ky ka deklaruar që para dy vjetësh ka shitur mallin në sekuestro. Nëse sot do i kthehemi të investigojmë apo të bëjmë një proces ose një diçka, ne nuk kemi provë materiale”, tha denoncuesi.

Kjo çështje, sipas gazetarit Angjellari, është mbuluar hapur nga Prokuroria e Elbasanit, ku ka kaluar dorën e 8 prokurorëve dhe ka zgjatur rreth 5 vite.

“Sipas ekspertëve të doganave u konstatua se në magazinën e Ismail Ballës u gjetën 4 koli që janë të njëjtat me sasinë, e cila u vodh vetëm disa kohë më përpara në Polis të Elbasanit. Ky fakt duhet të kishte çuar prokurorinë e Elbasanit tek autori kryesor se kush i vodhi këto cigare. Por mbeti enigmë pse prokurorët nuk e pyetën përsëri zotin Balla se ku i bleu këto 4 koli dhe më pas të kishin ndjekur zinxhirin deri në identifikimin e autorit”, tha gazetari. /tvklan.al