Policia amerikane ka njoftuar se një vrasës serial shumë i rrezikshëm është arrestuar.

35-vjeçari Anthony Robinson ka rënë në prangat e policisë pas një hetimi intensiv dhe dy provave thelbësore që çuan në zbulimin e tij – pamjet e një kamere sigurie dhe tabulatet telefonike.

35-vjeçari, që autoritetet për arsye hetimore e quanin “vrasësi me karrocë marketi”, dyshohet për për të paktën katër vrasje në të gjithë Virxhinian, teksa numri i viktimave mund të shtohet.

Anthony Robinsoni kontaktonte me viktimat në faqet që përdoren për takime në internet, dhe pasi shkonin në motel i torturonte dhe i vriste. Kevin Davis, shefi i policisë së qarkut, tha në konferencën për shtyp se vrasësi përdorte një karrocë marketi për të groposur trupin e viktimave pasi i gjymtonte ato.

Departamentet e policisë së Harrisonburgut dhe Charlottesvilleit zhvilluan  hetime të veçanta për personat e zhdukur.

“Ai ka vrarë tashmë katër gra, dhe ne dyshojmë se ka më shumë viktima,” tha shefi Davis.

Autoritetet po kryejnë hetim të thelluar për të mësuar më shumë rreth lëvizjeve të Robinsonit dhe për të identifikuar viktima të tjera të mundshme.

“Ne e zbuluam se kush është dhe falë Zotit është prapa hekurave tani!” tha shefi i policisë Davis.