Shkodra u trondit mëngjesin e sotëm nga një tjetër vrasje me armë zjarri. Maskat që lëviznin nga një automjet qëlluan me 10 plumba në drejtim të Naim Bajrit duke e lënë atë të vdekur ndërkohë që mbeti i plagosur punonjësi i tij në markatën e Peshkut, Astrit Zeneli.

Gazetari Artan Hoxha deklaroi ditën e sotme se bandat në Shkodër veprojnë me salla operative të cilat tha ai janë më permanente se ato të policisë.

“Dobraçi është i mbuluar me kamera. Ashtu është edhe Kirasi. Më vinte mesazhi pse ke hyrë në këtë zonë. Ata kishin kamerat e veta, janë me salla operative. Janë me permanente se ajo e policisë. Kemi të bëjmë atje me organizime që kanë në përbërje struktura shumë të fuqishme monetare dhe brenda tyre kanë edhe ekzekutorë”, tha ai.

Hoxha foli ndër të tjera për llojin e kriminalitetit në Shkodër, që për bazë ka marrëdhëniet farefisnore. Sipas tij, kjo e bën edhe më të vështirë punën e hetuesve për t’i zbardhur dhe për pasojë shumica e ngjarjeve janë pa autor.

“Në Shkodër ekzekutorët janë vendas. Ata i bëjnë vete sepse kanë hakmarrjen. Dhe hakmarrja duhet të jesh vetë, sepse ajo u jep një ndjenjë triumfi.

Kur shteti nuk vepron çfarë mendoni ju? Në momentin që ata nuk gjejnë njëri-tjetrin fillojnë dhe vrasin të afërmit, ata që janë më hallexhinjtë. Në 9 prill u plagos Admir Bilali, në makinë me të indohej edhe ëma. Në 30 prill i bëhet atentat Dedë Pllanajt. Për fat të mirë ai përfundoi me plagosje. Kjo sot është vijimi i ngjarjeve.

Kur nuk vepron shteti ata i zgjidhin vetë. Personi që është vrarë sot ishte në kafe, nuk ruhej. Pra është objektiv i lehtë për tu arritur. Viktima i sotëm është babai i Indrit Bajrit që u vra në 2001. Është një ngjarje që ka pasur dënim në atë kohë”, tha Hoxha.