Enkelejd Alibeaj, thotë se grupimi që ai drejton nuk do të shkojë nesër në Kuvend për të votuar emrin e kreut të ri të shtetit. Socialistët do ta prezantojnë sot kandidatin për President të Republikës dhe nesër ai do të votohet.

Sipas Alibeajt, emri i ri do të jetë një zgjatim dhe kapje e një tjetër institucioni nga Edi Rama. “Ne nesër nuk do të marrim pjesë në votim”, u shpreh kreu i grupit të PD, duke këmbëngulur se ky ishte qëndrimi i deputetëve që ai përfaqësonte.  

Qëndrimi ynë është logjik, koherent. Nesër nuk ka asnjë sens që PD të marrë pjesë në procesin e Presidentit. Do legjitimonte kapjen e një tjetër institucioni nga ana e Edi Ramës. Po zgjedh një president me non gratat e tij, duke mos pasur legjitimitetin për këtë zgjedhje. Ky është qëndrimi që do kemi ne.

Ne nesër nuk do të marrim pjesë në votim. Unë besoj që është një proces që vetëm nga ne nuk u bojkotua. Ishim ne që ofruar rregullat dhe procedurat. Ju e patë cili ishte pastaj qëndrimi i mazhorancës. Ne në mënyrë publike jo vetëm ofruam rregullat e këtij procesi. Figura e nesërme do jetë vetëm një zgjatim”, tha Enkelejd Alibeaj.

Ndërkohë, po sot ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur se PD do të jetë nesër në Kuvend, por nuk do të votojë emrin që do çojë mazhoranca.

“Edi Rama nesër do të quhet Aleksandër Lukashenko bis. Me marrjen e presidencës ai shkon në pushtet absolut. Është detyrë urgjente e opozitës së vërtetë, PD-së dhe aleatëve të saj të japë përgjigjen më të merituar dhe në kohë të shkurtër. Ne do jemi aty dhe do të votojmë kundër”, u shpreh Sali Berisha, i zgjedhur kryetar i PD.