Partia Demokratike përmes nënkryetarit të saj Enkelejd Alibeaj ka reaguar për vrasjen e nënkomisarit të policisë Saimir Hoxha, në krye të detyrës në Lezhë, teksa ishte duke kryer kontrolle kundër kultivimit të lëndëve narkotike.
Alibeaj thotë se kjo ishte një fatkeqësi e paralajmëruar, pasi prej shumë vitesh punonjësit e policisë që punojnë me ndershmëri janë lënë të braktisur nga shteti. Sipas PD ”Shqipëria e sunduar nga Edi Rama është kthyer në vendin kryesor të prodhimit të kanabisit në Europë, pasojat e këtij vullneti të mbrapshtë politik janë shkatërruese për shoqërinë dhe institucionet tona”.
Reagimi i Alibeajt:
I shprehim ngushëllimet tona familjes së nën/komisarit të policisë, Saimir Hoxha, të vrarë sot në detyrë, teksa kontrollonte për kanabis në zonën e mbrojtur të Kune-Vainit.
Fatkeqësisht kjo është një tragjedi e paralajmëruar, sepse prej vitesh punonjësit e policisë që shërbejnë me ndershëmri në mbrojtje të rendit dhe sigurisë janë braktisur nga shteti i gjunjëzuar përpara krimit, i cili është në revansh për shkak të modelit të bashkëpunimit me krimin të frymëzuar nga ky regjim i korruptuar.
Prej vitesh, Shqipëria e sunduar nga Edi Rama është kthyer në vendin kryesor të prodhimit të kanabisit në Europë, pasojat e këtij vullneti të mbrapshtë politik janë shkatërruese për shoqërinë dhe institucionet tona.
Që krimi të mos guxojë, që rendi dhe siguria të kthehet në normalitet, zgjidhja që kemi përpara është vetëm një, ndarja përfundimtare e politikës nga krimi dhe ndëshkimi i modelit të ndërtuar nga Edi Rama, i cili ka shkaktuar dhe shkakton vetëm dhimbje dhe pasiguri në familjet shqiptare!