Kreu u grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj ka reaguar për ngjarjet  e rënda që u shënuan mbrëmjen e djeshme në Tiranë, ku në të dyja ngjarjet ishin të përfshirë efektivët e policisë.

Alibeaj me anë të një postimi në rrjetet sociale shkruan se përfshirja e policisë në këto ngjarje tregon se jetët e shqiptarëve janë të pambrojtura.

Breshëri armësh brenda komisiariatit, plagosje e një të ngrati prej policit të dehur dhe një bilanc lufte me të plagosur e të vrarë, këtë herë mes vet forcave të rendit! Përpos keqardhjes për humbjen e jetës, jetët e shqiptarëve janë gjithnjë e më të pambrojtura. Një alarm që PD e ka ngritur në vite. Historiku i përfshirjes së forcave të rendit në ngjarje kriminale, përfshirja në trafik droge, në mbrojtjen e kriminelëve, rekrutimet politike në policinë e shtetit e shumë të tjera, e bën situatën më dramatike dhe dëshmon edhe njëherë gjendjen e vërtetë mes radhëve te Policise së Shtetit!

Organizata e Policisë së Shtetit nuk duhet të jetë as strehë e elementëve kriminalë dhe as strehë e militantëve të padenjë për të veshur uniformën e ruajtësit të rendit e sigurisë.

Ndaj ngjarje të tilla duhet të jenë kambanë alarmi për gjendjen e policisë dhe një thirrje për të rivënë në shinat e ligjshmërisë Policinë e Shtetit” shkruan Alibeaj në postimin e tij.

Mbrëmjen e djeshme punonjësi i policisë Inspektor Ludian Zaimi vrau me armën e shërbimit në Komisariatin nr.3 kolegun e tij, 55 vjeçarin Çaush Saliasi, në rrethana ende të paqarta. Ai tha se bullizohej prej kohësh nga Saliasi, ndërkohë që grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të çështjes.

Ngjarja tjetër ka të bëjë me plagosjen e 64 vjeçarit Murteza Lika në Kombinat, i cili u plagos me armë zjarri nga efektivi Lutfi Gjyla, i cili ishte në gjendje të dehur.