Në Beograd të Serbisë po mbahet samiti dyditor që shënon 60-vjetorin e konferencë së parë të Lëvizjes së të Painkuadruarve me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të më shumë se 105 vendeve dhe nëntë organizatave ndërkombëtare.

Kjo lëvizje ishte themeluar nga mesi i Luftës së Ftohtë si një kundërpeshë ndaj blloqeve kundërshtare të udhëhequra nga Bashkimi Sovjetik i atëhershëm (BRSS) dhe Shtetet e Bashkuara (SHBA).

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në fjalën e tij hyrëse tha se bashkëpunimi ndërkombëtar është e vetmja rrugë për mirëqenien dhe përparimin e njerëzimit.

“Beogradi ishte, është dhe do të jetë nikoqiri i të gjithë atyre që përçojnë mesazhin e paqes”, tha Vuçiç duke shtuar se Serbia është “një promovuese e idesë së multilateralizmit”.

Vuçiç gjatë fjalimit të tij foli edhe për çështjen e Kosovës. Ai tha se Serbia “lufton për sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, mbron të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e Kombeve të Bashkuara” dhe se është “e angazhuar për dialog” me Kosovën.

“Mbështetja e bashkësisë ndërkombëtare është çelësi për sukses në dialog pasi ai nuk ka alternativë”, tha Vuçiç.

Delegacionet i mirëpriten nga ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikolla Selakoviç dhe homologu i tij azerbajxhanas, Jeyhun Bayramov, vendi i të cilit mban udhëheqjen e Lëvizjes deri në vitin 2021.

Në samit po merr pjesë edhe Rusia pasi në korrik të këtij viti fitoi statusin e shtetit vëzhgues.

Lëvizja e të Painkuadruarve është grupi më i madh i shteteve pas Kombeve të Bashkuara.

Ideja për këtë lëvizje, siç nënkuptohet edhe në bazë të emrit, ishte të luajë rolin e një alternative politike për vendet që duan të shmangin zgjedhjen që t’I përkasin një blloku ushtarak-politik dhe të artikulojnë një qasje të pavarur të politikës së jashtme.

Themelimi i saj u bë më 1961 kur zyrtarë nga 25 vende u mblodhën në Konferencën e parë të Lëvizjes së Painkuadruarve në Beograd (atëbotë: Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë).

Në atë samit patën folur udhëheqës të atëhershëm, përfshirë kryeministrin e Indisë, Jaëaharlal Nehru, presidentin e Egjiptit, Gamal Abdel Nasser dhe presidentin jugosllav Josip Broz Tito, me iniciativën e të cilëve konferenca e parë u mbajt gjashtë dekada më parë.

Masa e sigurisë në Beograd janë shtuar dhe mbi 3.000 policë janë angazhuar për të mbajtur rendin gjatë samitit që mbahet të hënën dhe të martën.

Kush (nuk) shkoi në Beograd?

Shteti i Ganës përfaqësohet nga presidenti Nana Akufo-Addo ndërsa Algjeria nga kryeministri Aymen Benabderrahmane ndërsa delegacionet nga vendet e tjera pjesëmarrëse udhëhiqen në nivel të ministrave.

Rusia ka dërguar ministrin e Jashtëm, Sergei Lavrov. Një ditë para samitit ai u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Më 6 tetor, ministri i Jashtëm serb, Nikolla Selakoviq tha se qëllimi strategjik dhe thelbësor i Serbisë është anëtarësimi në Bashkimin Evropian (BE), por shtoi se Beogradi zyrtar nuk heq dorë nga miqtë tradicionalë që sipas tij “nuk janë vetëm Rusia dhe Kina, por edhe anëtarë tjerë të të painkuadruarve”.

Selakoviq gjithashtu vuri në dukje se tubimi me rastin e 60-vjetorit të themelimit të Lëvizjes nuk ka një dimension kryesisht politik, sepse nuk do të merren vendime apo deklarata, por është “një mënyrë që të gjithë të tregojnë se ata mbajnë në mend me krenari Konferencën e Beogradit të vitit 1961”.

Bosnje dhe Hercegovina përfaqësohet nga anëtari serb i presidencës trepalëshe, Millorad Dodik.

Anëtarët e presidencës Shefik Xhaferoviç dhe Zhelko Komshiq anuluan pjesëmarrjen, pasi policia serbe arrestoi Edin Vranjen, ish-kreun e Departamentit të Krimit të Organizuar të Bosnjës, më 12 shtator, nën akuzat për krime lufte.

Në kuadër të samitit të vendeve pjesëmarrëse do të mbahet edhe një forum i biznesit i vendeve pjesëmarrëse.

Si lindi Lëvizja e të Painkuadruarve?

Ideja e themelimit të Lëvizjes së të Painkuadruarve u shfaq gjatë rënies së sistemit kolonial dhe lufta për pavarësi mori hov mes popujve të Afrikës, Azisë, Amerikës Latine dhe rajoneve të tjera të botës, në një kohë kur Lufta e Ftohtë ishte në kulmin e saj.

Termi “Të Painkuadruarit” u shpall për herë të parë nga kryeministri indian, Jawaharlal Nehru gjatë fjalimit të tij në 1954 në Shri Lankë. Pesë parimet e Lëvizjes u thanë se janë: respekti i ndërsjellë për integritetin dhe sovranitetin territorial, mosagresioni ndaj njëri-tjetrit, barazia dhe përfitimi reciprok si dhe bashkëjetesa paqësore.

Ish-udhëheqësi jugosllav, Josip Broz Tito, konsiderohet si një nga themeluesit e Lëvizjes së të Painkuadruarve.

Vendi i udhëhequr nga Tito ishte anëtar i Lëvizjes së Painkuadruarve deri në fillim të viteve 1990, kur u shpërbë për shkak të luftërave jugosllave. U tërhoq zyrtarisht nga anëtarësia më 1992./REL