Serbia është duke planifikuar që të blejë dronët “Bajraktar TB2”, të cilët u bënë të njohur gjatë luftës në Ukrainë, për efektivitetin dhe precizitetin në sulme ndaj forcave ruse.
Siç shkruan mediumi turk për informim lidhur me industrinë turke të mbrojtjes “SavunmaSanayist”, deklaratat për blerjen e këtyre dronëve i ka bërë vetë Presidenti serb Vuçiç.“Dy ditë më parë, gjatë takimit me presidentin Erdogan të Turqisë, kam shprehur interesimin për të blerë Bajraktarët nga Turqia dhe Erdogan më ka premtuar se ne do t’i marrim ato. Do t’i kemi edhe këto armë në inventarin e Ushtrisë Serbe”, ka thënë Vuçiç.
Mediumi e ka konfirmuar po ashtu, se Serbia është duke negociuar me Francën për blerjen 12 avionëve luftarakë “Rafale”.
Deri tani, dronët “Bajraktar” i janë shitur të paktën 22 shteteve në botë. Sipas vlerësimeve, janë prodhuar rreth 300 dronë të këtij lloji.
Mediat serbe kanë raportuar po ashtu për interesimin e Vuçiç në blerjen e këtij lloji armatimi. Megjithatë, sipas raportimeve të tyre, Vuçiq ka thënë se kjo lëvizje nuk lidhet me synimin për ta kërcënuar dikënd.
“Është e rëndësishme që Serbia të forcohet. Nuk synojmë që ta kërcënojmë askën”, ka thënë Vuçiç. /GazetaExpress/