Dy deputetë të Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj dhe Tomor Alizoti kanë votuar kundër përbërjes së Komisionit Parlamentar për Reformës Zgjedhore dhe Reformën Territoriale.

Në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë, ku është zbardhur mënyra si kanë votuar deputetët projektligjet dhe projektvendimet në rendit e ditës së enjte, 9 qershor, shihet se dy deputetët që janë pjesë e grupit parlamentar demokrat të drejtuar nga Enkelejd Alibeaj, kanë votuar kundër përbërjes së këtyre komisioneve parlamentare.

Ndërkohë deputetë të tjerë që mbështesin grupin demokrat të Alibeajt kanë votuar pro.

Me këtë votim, dy deputetët i “bashkohen” qëndrimit të grupit të Rithemelimit, të Sali Berishës, që i cilëson një farsë këto dy komisione.

Komisioni i reformës zgjedhore do të përbëhet nga 18 anëtarë, ku mazhoranca socialiste do të ketë 9 anëtarë, PD-ja 6 anëtarë dhe anëtarët e tjerë janë Fatmir Mediu, Shpëtim Idrizi dhe Petrit Vasili.

Të njëjtën përbërje do të ketë edhe Komisioni i Reformës Territoriale, ku 9 anëtarë janë të PS-së, 6 të PD-së, si dhe anëtarët e tjerë Vangjel Dule, Mesila Doda dhe Erisa Xhixho e LSI-së.

Projektvendimi “Për përbërjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore” u miratua me 108 vota pro, 9 kundër, 0 abstenim.

Projektvendimi “Për përbërjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë” u miratua me 108 vota pro, 9 kundër, dhe asnje abstenim.

Nga Gjiknuri, Bushka tek Alibeaj e Bylykbashi, zbardhet lista me 36 anëtarët e dy reformave

Secili prej komisioneve do të përbëhet nga 18 anëtarë, ku Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë nga 9 anëtarë në secilin nga komisionet. Për sa u përket emrave që i përbëjnë këto komisione, nuk ka surpriza nga listat e publikuara më herët, nga dy subjektet kryesore.

Për sa i përket përbërjes që do të ketë Komisioni për Reformën Zgjedhore, emrat e anëtarëve janë përzgjedhur me kujdes nga të dyja subjektet. PS ka caktuar si bashkëkryetar Sekretarin e Përgjithshëm, Damian Gjiknuri, ndërsa opozita i është përgjigjur në këtë pozicion me kreu e grupit, Enkelejd Alibeaj. Lista e anëtarëve të këtij komisioni nga maxhoranca përbëhet nga Blerina Gjylameti, Klotilda Bushka, Toni Gogu, Ermonela Felaj, Arben Pëllumbi, Blendi Klosi dhe Klevis Xhoxhi.

Nga ana e saj, opozita, pavarësisht përçarjes së brendshme, ka përfshirë në këtë listë Oerd Bylykbashin, nënkryetarin e zgjedhur nga PD, që drejtohet nga Sali Berisha. Kjo përzgjedhje duket se është bërë për shkak të eksperiencës që ka deputeti Bylykbashi në çështjet zgjedhore. Lista e PD-së pasohet nga Grida Duma, Dashnor Sula, Kreshnik Çollaku, Lindita Metaliaj, Seladin Jakupllari, Ervin Salianji, Eralda Bano.

Në listën e emrave që do të përbëjnë Komisionin e Reformës Territoriale, Benet Beci i PS-së dhe Dhurata Çupi e PD-së do të jenë bashkëkryetarë të komisionit. Maxhoranca ka bërë pjesë të këtij komisioni ishministren Anila Denaj, si dhe deputetët Krashi, Nasufi, Ndreca, 3 anëtarë të tjerë dhe 4 emra zëvendësues.

Opozita, nga ana e saj, deputetët Xhelal Mziu, Pampuri, Ulliri e Korreshi dhe 4 anëtarë të tjerë. Por ky ishte vetëm hapi i parë i nisjes së procesit për dy reformat shumë të kërkuara nga opozita dhe që morën dakordësinë e maxhorancës.

Vijimësia e tyre në lidhje me hapat dhe nisjen nga puna pritet të vendoset në mbledhjen e ardhshme të Konferencës së Kryetarëve, që pritet të caktojë edhe axhendën e secilës prej tyre.