Avokati i Arben Ahmetajt pretendon se ish-zvkryeministri ndodhet pranë gruas dhe vajzës së tij në Angli.

Përpara SPAK mbrojtësit e Ahmetajt pretendojnë se ai do të kthehet në Shqipëri, vetëm në momentin që do të ketë fituar lirinë.

SPAK pyeti avokatët e Ahmetajt se ku ndodhej politikani socialist, ndërkohë që vetë ish-ministri reagoi sot duke thënë se ditë pas dite do të faktojë pafajësinë e tij.

Me 117 vota pro dhe tre abstenim, Kuvendi i dha sot dritën jeshile arrestimit të Arben Ahmetajt, deputetit socialist dhe njëherësh ish-zv.kryeministër.

Mes deputetëve që votuan pro arrestimit të Arben Ahmetajt ishte dhe vetë kryeministri Edi Rama.

3 deputetët që abstenuan janë Vangjel Dule, Agron Duka dhe Fatmir Mediu.

Me këtë hap të Kuvendit, tashmë SPAK pritet të urdhërojë arrestimin e Ahmetajt dhe kontrollin e banesës së tij, ndërkohë që ish-numri 2 i qeverisë është larguar jashtë vendit, disa ditë përpara se SPAK të kërkonte autorizim në Kuvend.

Nëse Ahmetaj nuk do të gjendet në banesë, siç janë edhe gjasat që të ndodhë, ai pritet që të shpallet në kërkim kombëtar dhe më pas ndërkombëtar.

Vetë ish-zyrtari i lartë socialistë, në një reagim të bërë sot në rrjetet sociale, mohoi akuzat për përfshirjen e tij në tenderimet e inceneratorëve, e madje paralajmëroi se ditë pas dite do të zbardhë të vërtetën e tij.

(E.K/Faxweb.al)