Konferenca e Kryetarëve vendosi këtë të martë se raundi i katërt për zgjedhjen e Presidentit të Republikës do të mbahet këtë të shtunë 4 qershor. I pranishëm në mbledhje deputeti i Partisë Demokratike Agron Gjekmarkaj u shpreh se maxhoranca e arriti qëllimin që të hynte në fazën ku pritet të zgjedhë një president që vjen nga askundi, me synimin që të jetë shtojcë e pushtetit kryeministror.

Gjekmarkaj theksoi se gjatë tre raundeve të para nuk pasur kurrë një ofertë reale për opozitën, por ishte një strategji e Partisë Socialiste për të nxjerrë një president nga askundi.

“Përtej krizave që mund të ketë opozita ajo është atje me 63 deputetë me 67 mijë vota diferencë në zgjedhjet e fundit me maxhorancën. Unë e shoh që flitet për opozitën sikur humbi një shans për të pasur një president.

Në fakt opozita nuk ka pasur asnjë ofertë reale dhe nuk ka humbur asgjë. Ju keni dashur të hyni në këtë fazë për ta zgjedhur vetë. Nuk ja keni ofruar ju zgjedhjen e presidentit opozitës, por ja ofron Kushtetuta.

Ju bëtë një strategji për të nxjerrë një president që nuk dihet nga do dalë, do dalë nga askundi për të qenë askushi. Jo se ju nuk e keni të drejtën për të propozuar, ju keni një mbingarkesë pushteti piramidal dhe ishte një mundësi për të bërë një nisje të re. gjë që e shpresoja. Meqenëse po shkoni drejt zgjedhjes ashtu siç deshët, mos lejoni që në krye të shtetit të vendoset një askushi”, tha Gjekmarkaj