Dita e sotme është afati i fundit i opozitës për të propozuar emrat e saj si kandidatë për presidentë. Raundi i tretë që është edhe shansi i fundit i opozitës për të bërë propozime, po shkon drejt fundit ndërsa duket se do të digjet pa asnjë emër si dy raundet e para.

Nesër, në orën 10:00 pritet të mbahet seanca për raundin e tretë por palët nuk kanë prodhuar asnjë konsensus deri më tani.

Në rast se opozita nuk do ndryshojë qëndrim në dy raundet e fundit, “topi” kalon te maxhoranca dhe i takon asaj të propozojë kandidatët për president që do të çohen më pas për votim në parlament.

Palët ishin shumë afër një marrëveshje gjatë raundit të dytë, por e gjitha kishte qenë një keqkuptim, pasi kreu i grupit parlamentar të PD Enkelejd Alibeaj propozoi një formulë ku PS duhet të jepte firmat për kandidatët e PD, kusht që nuk u pranua nga homologu i tij socialist Taulant Balla.