Ndërsa vëmendja publike është përqendruar te revolta qytetare, drejtori i Landfillit të Elbasanit ka shpallur sërish të njëjtin tender për “menaxhimin e mbetjeve”, një skemë që sipas auditit ka prodhuar miliona euro abuzime…
Në dosjen hetimore për drejtorin e Landfillit të Elbasanit, Leli Kaja, përfshihet edhe tenderi me objekt: “Menaxhim mbetjesh me mjete të rënda brenda territorit të landfillit”, i zhvilluar në muajin mars 2023 dhe më pas në mars 2024, me vlerë fikse prej 660 milionë lekësh me TVSH.
Por Prokuroria e Elbasanit, e drejtuar nga Kreshnik Ajazi, vëllai i Besion Ajazit, kryetar i Bashkisë Gramsh, e cila është aksionere në Landfillin e Elbasanit, ka heshtur përballë hetimit të vjedhjeve të pretenduara të drejtorit Leli Kaja, të realizuara përmes tenderëve fiktivë gjatë katër viteve të tij në detyrë.
Ndërsa prokuroria nuk ka ndërmarrë veprime ndaj tij, drejtori i Landfillit të Elbasanit e ka përsëritur edhe dy herë të tjera të njëjtën procedurë tenderuese për shtyrjen e mbetjeve me mjete private: në muajin prill 2025 dhe më pas për vitin 2026, me kontratë të firmosur më 29 maj 2026, sërish me të njëjtën vlerë prej 660 milionë lekësh.

Tenderi është shpallur në Buletinin e Prokurimeve Publike të datës 8 qershor 2026, me të njëjtin objekt: “Menaxhim mbetjesh urbane me mjete të rënda brenda territorit të Landfillit të Elbasanit”, ndërsa procedura është planifikuar të zhvillohet më 1 korrik 2026, me afat kontrate njëvjeçar.
Landfilli i Elbasanit disponon mjete të rënda të mjaftueshme për përballimin e procesit të shtyrjes dhe sistemimit të mbetjeve që depozitohen nga bashkitë Elbasan, Gramsh, Librazhd, Përrenjas, Cërrik dhe Belsh, të cilat janë aksionere në shoqërinë “ECO-ELB” sh.a.
Megjithatë, sipas denoncimeve dhe dokumenteve të administruara, drejtori Leli Kaja e ka sajuar dhe zhvilluar këtë lloj tenderi prej katër vitesh radhazi, me një vlerë totale që deri tani arrin në rreth 2.6 milionë euro.
Sipas akuzave, fondet justifikohen me marrjen me qira të buldozerëve dhe fadromave private për shtyrjen e mbetjeve, ndërsa në realitet bëhet fjalë për një skemë të mirëorganizuar vjedhjeje, e realizuar në bashkëpunim me kryetarin e Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja.
Auditimi i Ministrisë së Financave, e cila financon aktivitetin e Landfillit të Elbasanit përmes kontributeve të shtatë bashkive të qarkut, ka konstatuar se afro 70 për qind e vlerës totale të tenderëve është përvetësuar përmes dokumenteve fiktive të blerjeve dhe shërbimeve.
Sipas auditit, këto shpenzime janë justifikuar me veprimtari të lidhura me vënien në punë të inceneratorit, megjithëse një pjesë e konsiderueshme e tyre nuk rezulton të jetë realizuar realisht./Pamfleti






