Një valë tjetër pandemike mund të ndikojë rëndë në kushtet e udhëtimit ndërkombëtar dhe kërkesën e jashtme për produktet shqiptare, pasi më shumë se 75% e eksporteve shqiptare janë të destinuara për tregjet e BE-së. Gjithashtu mund të ndërpresë rimëkëmbjen e flukseve të dërgesave të emigrantëve, të cilat janë një burim i rëndësishëm i të ardhurave për familjet shqiptare

Intervistë me zëvendëspresidentin e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Jürgen Rigterink

Ballkani Perëndimor dhe Shqipëria e kaluan krizën pandemike përgjithësisht më mirë nga sa parashikohej fillimisht, duke reflektuar një performancë më të fortë se sa pritej për eksportin, mbështetje të gjerë fiskale dhe zbutjen e hershme të masave të distancimit shoqëror në disa ekonomi.

Zëvendëspresidenti i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Jürgen Rigterink, i cili së fundmi zhvilloi një vizitë në Tiranë, në një intervistë të posaçme për “Monitor”, tha se konsumi i familjeve po zgjerohet, rritja e kërkesës globale po nxit eksportet e mallrave dhe sektori i turizmit, gradualisht po rimëkëmbet nga nivelet më të ulëta të një viti më parë.

Megjithatë, shton ai, perspektiva mbetet e pasigurt, për shkak të kufizimeve të udhëtimit, që po zbatohen kohët e fundit, dhe nivelin e Investimeve të Huaja Direkte, që mbeten gjithashtu nën nivelet e tyre të para krizës.

BERZH pret që PBB-ja në Shqipëri të zgjerohet me rreth 4.5% këtë vit, pak më e ulët se norma mesatare për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, e cila parashikohet në 5.1%.

Rigterink shton se kriza COVID-19 duhet të përdoret si një mundësi për rindërtimin e ekonomive më të gjelbra, më gjithëpërfshirëse dhe të dixhitalizuara, si diversifikimi i burimeve të energjisë së gjelbër, investimet në hekurudha, apo nxitja e aktivitetit të Ndërmarrjeve të Vogla e të Mesme.

Si do ta vlerësoni ecurinë e ekonomisë në shtetet e Ballkanit gjatë pandemisë? A ishte në linjë me pritshmëritë tuaja? Nëse mund të jepni më shumë informacion rreth Shqipërisë?

Ballkani Perëndimor, në tërësi, e përballoi relativisht mirë ndikimin e pandemisë. Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) u tkurr mesatarisht me 3.2% në 2020-n. Megjithatë, shtrirja e ndikimit dhe kanalet e transmetimit ndryshuan midis vendeve. Shqipëria dhe Mali i Zi, që kanë varësi të lartë nga turizmi, u prekën kryesisht nga kufizimet në udhëtimet e brendshme dhe ndërkombëtare. Vendet me baza relativisht të mëdha prodhuese si Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Serbia u goditën nga ndërprerja e zinxhirëve globalë të furnizimit.

Rënia e dërgesave të emigrantëve goditi konsumin e familjeve në Kosovë dhe në një shkallë të caktuar, edhe në vendet e tjera. Sidoqoftë, rezultati ishte përgjithësisht më i mirë nga sa prisnim, duke reflektuar një performancë më të fortë se sa pritej për eksportin, mbështetje të gjerë fiskale dhe zbutjen e hershme të masave të distancimit shoqëror në disa ekonomi.

PBB-ja e Shqipërisë u tkurr me 3.3% në vitin 2020, kryesisht për shkak të ndikimit në sektorin e mikpritjes dhe nga tkurrja e konsumit të familjeve. Rënia ekonomike nuk ishte aq e keqe sa mendohej, kryesisht për shkak të politikave fiskale lehtësuese dhe një zgjerimi të fortë të investimeve, veçanërisht në gjysmën e dytë të vitit 2020.

Si do ta vlerësonit shpejtësinë e rimëkëmbjes për vendet e Ballkanit dhe për Shqipërinë në veçanti?

Në vitin 2021, rimëkëmbja në Shqipëri dhe më gjerë në rajonin e Ballkanit Perëndimor ka marrë ritme të shpejta. Vaksinimi po përparon, lëvizshmëria e njerëzve është kthyer gjerësisht në nivelin e para pandemisë, dhe prodhimi industrial, shitjet me pakicë dhe kërkesa për eksportet kanë qenë të forta. Sektori i turizmit gjithashtu duket se po rimëkëmbet.

Pasi qeveria hoqi të gjitha kufizimet pandemike për të huajt që hyjnë në vend, numri i turistëve të regjistruar në fillim të sezonit 2021 pothuajse arriti nivelin e para pandemisë. Megjithatë, perspektiva mbetet e pasigurt për shkak të kufizimeve të udhëtimit, që po zbatohen kohët e fundit, dhe nivelin e Investimeve të Huaja Direkte, të cilat mbeten gjithashtu nën nivelet e tyre të para krizës.

Tendencat në Shqipëri janë të ngjashme me ato në Rajonin e Ballkanit Perëndimor – konsumi i familjeve po zgjerohet, rritja e kërkesës globale po nxit eksportet e mallrave dhe sektori i turizmit gradualisht po rimëkëmbet nga nivelet më të ulëta të një viti më parë. Në Shqipëri, rritja e investimeve është e fortë, për shkak të aktiviteteve të vazhdueshme të rindërtimit pas tërmetit. Politikat lehtësuese fiskale dhe monetare po mbështesin rimëkëmbjen ekonomike. Ne presim që PBB-ja në Shqipëri të zgjerohet me rreth 4.5% këtë vit, pak më e ulët se norma mesatare për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, e cila parashikohet në 5.1%.

Ecuria ekonomike e Shqipërisë gjatë vitit 2020 ishte shumë më e mirë sesa parashikimi juaj fillestar për një rënie prej -9.5%. Si e shpjegoni këtë?

Fillimisht, ne prisnim një rënie të madhe të PBB-së në të gjitha vendet, që kishin një varësi të lartë nga turizmi. Kjo ndodhi realisht në vende si Kroacia, Mali i Zi dhe Greqia.

Sidoqoftë, në rastin e Shqipërisë, kolapsi i turizmit u amortizua, në një masë të madhe, nga një zgjerim i aktiviteteve të sektorit të ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme, veçanërisht në gjysmën e dytë të vitit 2020, të lidhura me aktivitetet e rindërtimit pas tërmetit.

Për më tepër, rënia e numrit të mbërritjeve të huaja ishte më e butë në Shqipëri, në krahasim me vendet e tjera të përmendura. Integrimi relativisht i kufizuar i Shqipërisë në zinxhirët e vlerave rajonale dhe globale mbrojti, deri diku, eksportet e mallrave të vendit.