Nga Lutfi Dervishi-

Gazetar duket se sot mund të quhet kushdo, mjaft të shkruajë dhe të publikojë mendimet e tij. Interneti dhe rrjetet sociale e kanë popullarizuar kaq shumë emrin gazetar sa po venitet kuptimi, misioni dhe thelbi i këtij profesioni.

1. Gazetar: ai që mbledh, përpunon, verifikon dhe raporton informacion për publikun. Më të mirët e kësaj kategorie janë gazetarët investigativë.

2. Redaktor: personi që ndihmon gazetarin dhe vendos për publikimin e materialit të tij bazuar në standartet profesionale.

 Opinionist: njeri që ka një opinion të tijin për çështje të caktuara, është partizan i një çështjeje, partie, ideologjie. Opinionisti gjen argumenta në favor të qëndrimit të tij. Opinionisti është i anshëm. Për opinionistin nuk kanë rëndësi faktet. Kur faktet janë kundër bindjeve të tij, “ndryshon” faktet.

4. Komentator: njeri që flet qesim për çdo gjë pa u kujdesur as të gjejë informacione që mbështesin qëndrimin e tij.

5. Analist: shqyrton dhe analizon ngjarje të ditura, por bazuar mbi informacione të verifikuara. Analisti e ka për detyrë të jetë i paanshëm. Faktet që analizon mund t’a çojnë në përfundime që nuk i pëlqejnë, por ndryshe nga opinionisti, analisti nuk “ndryshon” faktet, por injoron opinionin e tij.

6. Editorialist: ai që shkruan qëndrimin “zyrtarët” të emisionit/medias. Kryesisht është anonym.

7. Publicist: njeri që shkruan çfarë mendon për çështje të historisë, aktualitetit dhe ardhmërisë. Publikimet e tij janë një koktejl i meditimit, esesë, poezisë, hartimit, ditarit, përsiatjes…

8. Ndikues: person që ka aftësinë të bindë ata që e ndjekin në rrjete sociale për çështje të ndryshme që nga ato të shëndetit, stilit të jetesës, gatimit, shitblerjes etj.

9. Kritizer: njeri që vendos lupën dhe gjen të keqen kudo, kurdo dhe për këdo.

10. Mikrofonmbajtës: ata që mbajnë mikrofonin dhe bëjnë pyetje që ua kanë dhënë të tjerët. Mund të mbajnë edhe 2-3 mikrofonë.

11. Moderator: person që kujdeset të moderojë një çështje që diskutohet duke mbajtur balancë, por edhe duke bërë pyetje sfiduese. Ky është përcaktimi teorik. Praktikisht shumica e moderatorëve “ndërtojnë panele” me opinionistë dy-tre të një krahu përballë dy-tre të krahut tjetër. Mbizotëron kultura e kacafytjes. Si rregull flasin dy ose tre të ftuar në të njëjtën kohë.

12. Folës: personi që lexon në prompter tekstin që ka shkruar redaktori dhe përcjell te publiku lajmet që i kanë përgatitur gazetarët.

13. Gjobvënës: shkrim/kronikë/koment i bërë me porosi, me pseudonim ose anonim, për të çuar një mesazh të drejtëpërdrejtë ose të kodifikuar. Materiali në të shumtën e rasteve ka tone parimore dhe investigative. Si rregull, investigimi mbyllet kur mesazhmarrësi reflekton.

Pra gazetar është vetëm një, 12 të tjerët janë për t’i bërë hije dhe… njolla