Kolonia e mushkonjave që vjen nga këneta pushton plazhin e Orikumit sidomos në orët e mbrëmjes. Turistët dhe operatorët turistike flasin për situatën kritike, ndërsa kërkojnë që Instituti i Shëndetit Publik të ndërhyjë menjëherë për dezinfektimin e zonës.

“Një problematikë e madhe është se nga këneta këtu na mbytën mushkonjat.

Nuk është bërë asgjë nga asnjë institucioni. Në darkë në orën 20:00 deri në 22:00 njerëzit ulen për të pirë diçka dhe largohen me vrap, nuk qëndrojnë për të ngrënë darkë. Kanë vajtur ankesa pafund nga gjithë Shqipëria, por këtë vit asgjë nuk është bërë për dezinfektimin”. Klodian Merkohitaj, i cili ka një bar restorant në këtë zonë thotë se mungesa e dezinsektimit po e çon drejt falimentit.

“Më ka pickuar dhe ka një muaj që nuk më është shëruar plaga. Ka infektim më të rëndë sivjet”.

Darka për mua është falimentim nuk rri askush për të ngrënë. Institucioni i duhur duhet të vijë që në prill me helikopter është e pamundur aty janë gati 10 ha kënetë”. Po kështu pushuesit shprehen se është e pamundur të dalësh shëtitje apo të frekuentosh restorantet në mbrëmje.

“Pasdite dhe darka është më problem lagështira e ajrit rritet ka më tepër mushkonja”. 

Dezinsektimi nuk është kryer këtë verë në asnjë prej plazheve të vendit, pasi tenderi me vlerë 800 mijë euro është pezulluar prej 3 muajsh. Burime për Report Tv thanë se “procedura është pezulluar për shkak të ankesave të dy operatorëve ekonomikë”.

Ende nuk ka vendim nga Komisioni i Prokurimit Publik!