Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit (SPAK) ka dhënë sot pretencën për ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla, duke kërkuar dy vite heqje lirie për të.

Pas një hetimi i gjatë, SPAK kërkoi shpalljen fajtor pasi rezulton se ka kryer deklarim të rremë të pasurive. Ish kryeprokurori Adriatik Llalla rezulton se në disa episode nuk ka deklaruar vlerën e pasurive të paluajtshme, konkretisht prona në Tiranë, si dhe investime dhe shpenzime të kryera.

Ndaj Lallës është komunikuar akuza për veprën penale të “Refuzimi për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i cdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

Kjo është kërkesa e parë e SPAK për shpalljen fajtor të një zyrtari, i cili ka hequr dorë nga procesi i vettingut. Ndërkohë, mes provave që SPAK depoziton renditen dhe emrat e dëshmitarëve dhe deklaratat e Lallës nga viti 2004 deri në vitin 2016.

Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla, do të përfitojë nga gjykimi i shkurtuar, ndaj dhe për këtë arsye i ulet 1/3 e dënimit, duke i mbetur 1.4 vite burg.

Po ashtu SPAK ka kërkuar edhe 5 vite përjashtim nga Shërbimi Publik, ky i fundit si dënim plotësues.

Kujtojmë se Llalla është marrë i pandehur për akuzën e fshehjes së pasurisë. Adriatik Llalla u hetua për disa vepra penale, përfshirë edhe pastrimin e parave, por në finale ai u dërgua për gjykim vetëm për fshehje të pasurisë.

Top Channel