791 aplikime ka pasur në një muaj për projektin e paneleve diellore për ngrohjen e ujit në shtëpi. Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se, projekti i paneleve diellore po ecën me ritme të mira për të mbështetur kryesisht konsumatorët familjarë.
“Prej 1 nëntorit ka nisur aplikimi i qytetarëve për këtë skemë, kosto e cila do të subvencionohet në masën 70% nga Qeveria”, theksoi Rama.
“Japim garancinë se do të vazhdojmë të mbështesim dhe të mbrojmë konsumatorin shqiptar në këtë situatë krize energjie globale”, tha Rama në një postim në rrjetet sociale, i cili ftoi qytetarët të aplikojnë në adresën http://eficenca.gov.al
Nga 1 nëntori qytetarët mund të aplikojnë për të përfituar subvencion në masën 70 % për instalimin e paneleve me ngrohje diellore. Skema për nxitjen e përdorimit të paneleve diellore për ngrohjen e ujit nga klientët familjarë synon reduktimin e konsumit të energjisë elektrike dhe përmirësimin e furnizimit me ujë të ngrohtë sanitar dhe reduktimin e emetimeve të CO2.
Kjo është thirrja e dytë për aplikim, e cila i drejtohet klientëve familjarë të interesuar për marrjen e shërbimit të instalimit të paneleve diellore për ngrohjen e ujit për deri në 2 mijë konsumatorë familjarë, të cilët do të përzgjidhen për të përfituar nga kjo skemë mbështetëse. /