Klajdi Musabelli në një intervistë në emisionin “Jeto me Orën” në RTV Ora foli rreth projektit të tij muzikor me të cilin u përfaqësua në ‘Kënga magjike’.
“Kthehem në shtëpi” është një performancë e kompletuar në detaje dhe Klajdi tregon se rrugëtimi i këngës është i gjatë.
Klajdi Musabelli: Rrugëtimi i këngës është i gjatë nuk u krijua enkas për në ‘Kënga magjike’. Në ishullin ku jetoj në Itali isha buzë deti dhe mendova se do të bëj një këngë. Këngët që kam krijuar më parë i kam krijuar në Laprakë. Kjo ide që më erdhi atje ishte një këngë për vendin tim që ia dedikova mamit. Ikja duket si e lehtë, por askush nuk e di se çfarë ndjej brenda meje.
Me çfarë ndjesish je ndarë nga përfundimi i Këngës Magjike?
Klajdi Musabelli: E shijova shumë. Pata fatin se pata një mikeshë aty Andeta Radin, me të njihemi prej vitesh. E kam shijuar si fëmijë deri atë natë që ishte nata e fundit. Bëra mirë që solla mamin në sallë. Më erdhi keq që nuk ma dhanë mundësinë ta rikëndoja dhe një herë këngën për mamin, vetëm për të dua ta bëj krenare sa të jetë gjallë. Se po vdiq pastaj s’ka rëndësi. Sa jemi gjallë ta duam njëri tjetrin. Kjo ishte ajo që ma prishi pakëz qejfin megjithatë mami im e ka pëlqyer shumë këngën dhe njerëzit që e kanë dëgjuar.
Ai tha se “Unë sa herë jam rikthyer në shtëpi jam rikthyer për të qëndruar por për arsye të ndryshme nuk e kam bërë një gjë të tillë. Nuk varet vetëm nga unë vendimi për të qëndruar, unë e dua vendin tim por varet a më do vendi im mua.”
Çfarë të dhemb më shumë nga Shqipëria?
Klajdi Musabelli: Më dhemb që le vetëm mamin vetëm. Gjëja më kryesore. Shqipëria do të thotë nëna ime, ajo më ka ngelur. Por ja e kaloj kështu me të qeshur. Kur më merr ndonjëherë dhe më thotë që nuk jam mirë ndihem impotent. Ishalla nuk ndodh gjë se ngelet peng për gjithë jetën.