Kroacia ka befasuar sërish në këtë edicion të Kupës së Botës duke tentuar sërish të arrijë në majën e një finaleje të dytë radhazi.
Në vitin 2018, Zlatko Dalic dhe skuadra e tij tronditën botën teksa arritën deri në finalen e Rusisë, duke mposhtur Anglinë rrugës, përpara se penegesa e fundit të ishte Franca e cila fitoi trofeun. Me një skuadër të “plakur” që përfshin yllin dhe kapitenin 37-vjeçar Luka Modric, Dalic duket se ka ringjallur edhe njëherë djemtë e tij teksa kërkojnë të kurorëzohen si kampionë bote. Megjithatë, përballë do të kenë Messin e uritur për këtë trofe të cilit i mungon në tavolinën e tij.
Ky ka të ngjarë të jetë shansi i tij i fundit dhe mposhtja e Kroacisë në këtë gjysmëfinale do ta çojë Messin dhe skuadrën e tij një hap më afër, por sigurisht nuk do të jetë një përballje e lehtë.
Si mund ta ndalojë Kroacia Messin?
Kjo është një pyetje që ka munduar mendjen profesioniste e shumë trajnerëve, ku fatkeqësisht nuk ka asnjë përgjigje konkrete, as një plan apo udhëzues për ta arritur këtë gjë. Çelësi i vërtetë mund të jetë ndalimi i Messit për Kroacinë që të arrijë në finalen e Botërorit. Dalic u pyet në konferencën për shtyp të shtunën se çfarë plani ka për të ndalur Leo Messin.
“Ne duhet të ruhemi nga Messi, por jo në stilin kokë më kokë. Ne e dimë se sa shumë vrapon, sa i pëlqen të luajë me topin në këmbët e tij dhe çelësi i fazës sonë mbrojtëse do të jetë disiplina. Nëse ne përsërisim të njëjtën gjë si kundër Brazilit, ku t’i qëndrojmë pranë atij, nuk ka asgjë për t’u frikësuar”.
E vetmja metodë tjetër që një ekip mbrojtës mund të përdorë për të penguar kapitenin e Argjentinës është duke luajtur në mënyrë zonale. Mënyra më e mirë për të përshkruar shënjimin zonal është përdorimi i analogjisë së Jose Mourinhos për krijimin e një “qelie burgu” rreth sulmuesve, ku muret e qelisë janë lojtarët mbrojtës. Në këtë mënyrë, Kroacia mund të ketë lojtarë të shumë rreth Messit në çdo kohë, duke i mbajtur mbrojtësit në një distancë të afërt me yllin e Argjentinës.
Kroacia mund të përdorë këtë skemë për të ndalur Messin, me 20-vjeçarin që po mahnit botën me performancën e tij, Gvardiol. Por, sytë e Dalic dhe gjithë botës janë te treshja e jashtëzakonshme e mesfushës që ata kanë. Modric, Brozovic dhe Kovacic janë tre gjeni të cilët menaxhojnë motorin dhe mushkritë e ekipit. Të palodhur, teknikë, inteligjentë dhe të saktë me topat e tyre. Të aftë për të nisur kundërsulme, për të menaxhuar lojën dhe për të ndalur sulmet e rrezikshme nga kundërshtarët.
Sulmi është gjithashtu i rrezikshëm, me Marko Livaja, Ivan Perisic, Bruno Petkovic dhe Ante Budimir, ku të gjithë janë shtatlartë dhe të rrezikshëm. Mbi të gjitha, e gjithë vëmendja është te treshja e mesfushës siç u theksua pak më parë, pasi karakteristikat e tyre janë tmerrësisht të përgjithshme dhe tepër të avancuara në përdorimin e tyre.
Dalic duhet të ketë besim te taktika e Mourinhos, “qelia e burgut” për të ndalur Messin dhe te treshja e mesfushës e cila mund të jetë mbrojtja dhe sulmi i një Kroacie e cila pret të bëjë mrekullinë këtë herë në Kupën e Botës, duke tentuar finalen dhe pse jo, për ta fituar atë./h.ll/