Ministria e Mbrojtjes ka dhënë detaje për situatën e reshjeve në vend. Në fshatin Obot janë bllokuar disa rrugë, ndërsa janë angazhuar edhe efektivë të Forcave të Armatosura në ndihmë të banorëve.

Ndërkohë, në disa sipërfaqe toke në Bërdicë, Guri i Zi e Velipojë ka tërheqje të ujit. Hidrovorët po punojnë normalisht, në kuotat kritike dhe kuotat e lumenjve Drin, Gjadër dhe Mat janë normale.

Njoftimi:

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Gatishmërisë dhe Koordinimit të Përgjigjes Emergjente, në Agjencinë e Mbrojtjes Civile reshjet e rëna gjatë natës kanë shkaktuar problematika në disa qarqe të vendit. Agjencia e Mbrojtjes Civile ka vënë në dispozicion të bashkisë së Shkodrës mjete të kalueshmërisë së lartë dhe mjete ujore. Një mjet i kalueshmërisë së lartë dhe efektivë të FA janë angazhuar në ndihmë të banorëve në njësinë Ana e Malit, fshati Obot. Si pasojë e reshjeve të shumta orët e fundit aksi kryesor i kësaj rruge është bllokuar, duke e bërë të pakalueshme nga mjetet e vogla.

Ndërkohë vijon tërheqja e ujit në disa sipërfaqe toke në Bërdicë, Guri i Zi e Velipojë.

Punonjës të ARRSH janë duke punuar për pastrimin e dherave në akset Theth-Breglumi, Darragjat-Shirq, njësia administrative Dajç si dhe në rrugën e Lumit të Vlorës në vendin e quajtur ” Qafa e Pëllumbit”.

Tërheqje të ujit ka edhe nga sipërfaqet në qarkun e Lezhës, në njësinë Balldren, ish-këneta e Torovicës, në zonën e Laçit, ish kënetën e Gjonëmit.

Sipas raportimeve hidrovorët punojnë normalisht, nën kuotat kritike.

Kuotat e lumenjve Drin, Gjadër dhe Mat janë normale.

Në fshatin Kishavec, bashkia Dibër janë evakuuar disa bagëti, për shkak të depërtimi të ujit nga përroi i fshatit, ndërsa po punohet për riparimin e dëmtimeve në urën e Çikut.

Në fshatrat Toplane-Serme, njësia administrative Temal dhe në zonën e Vermoshit, punonjësit e OSHEE ndodhen në terren për rikthimin e furnizimit me energji elektrike në këto zona.

Në të gjtha qarqet e tjera të vendit situata paraqitet normale.

Agjencia e Mbrojtjes Civile, në Ministrinë e Mbrojtjes është e gatshme t’u përgjigjet në çdo kohë kërkesave të pushtetit vendor, duke vënë në dispozicion të komuniteteve të gjitha kapacitetet e nevojshme. /abcnews.al