Dy të vdekur me origjinë shqiptare, 41 dhe 44 vjeç dhe një grua e plagosur është bilanci tragjik nga ngjarja e rëndë që ndodhi mbrëmjen e së dielës në një lokal në sheshin Nea Smyrni në Athinë. 31 vjeçarja që mbeti e plagosur ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja ka ndodhur pak para orës 22:00, kur autori i maskuar hapi zjarr ndaj dy klientëve me origjinë shqiptare, ku ndodheshin jo pak persona, që sipas dëshmitarëve okularë vlerësohet të jetë më shumë se 100-150 persona rreth vendit të vrasjes – duke shkaktuar në panik.
Ligji i natës “foli” në Nea Smyrni
Nga videoja që kanë publikuar mediat greke, autori mban një maskë dhe një kapuç në kokë për të fshehur tiparet e tij. I pa shqetësuar nga klientët e tjerë aty, ai hyn brenda lokalit dhe hap zjarr ndaj shqiptarëve dhe më pas arrin që të largohet në këmbë.
Autoritetet vlerësojnë se objektivi kryesor ka qenë 41-vjeçari i vrarë në vend. Të dy viktimat janë të njohur për autoritetet greke. 41-vjeçari është me precedentë penalë për drogë, armë dhe grabitje. Ndërsa sa i përket shqiptarit tjetër, mediat shkruajnë se ai kishte angazhuar autoritetet për rastet e drogës.
Sipas të dhënave, ekzekutimi ka ndodhur brenda 4 sekondave. Sulmuesi ka qëlluar gjithsej 7 herë. Autori rezulton të jetë një profesionist, pasi mënyra se si e ka kryer ekzekutimin ka qenë e saktë dhe e shënjestruar. /abcnews.al