Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit gjatë një seance me dyer të mbyllura, nuk vendosi që të dërgojë për gjykim themeli apo jo dosjen e inceneratorit të Elbasanit. Kjo shtyrje u bë pasi nuk ishin njoftuar tre të akuzuarit.
Burime të sigurta thanë për Top Channel se është lënë kohë që palët të njoftohen për nisjen e procesit, ndërsa seanca është planifikuar të mbahet më 18 janar të 2023-shit.
Pati avokatë të cilët dhanë deklaratë, ku ndër ta ishte Ardian Vishaj, i cili tha se klientja e tij kishte pasur një hetim më parë nga prokuroria e Elbasanit, ndërsa theksoi se kjo çështje duhet të pushohet. Ndërsa avokati Ardjan Leka u shpreh se çështja e inceneratorëve duhet të hetohet në një dosje të vetme, si inceneratori i Elbasanit edhe ai i Fierit, të cilat janë dorëzuar në SPAK në dy dosje të veçuara.
Seanca për inceneratorin e Elbasanit ka në gjykim 10 persona të akuzuar
Kujtojmë se pranë SPAK gazetari Adriatik Doçi ka dorëzuar një kallëzim, i cili kërkon nisjen e hetimeve me akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe fshehjes së provave për dy prokurorët Klodian Braho dhe Ened Nakuçi.
Ata akuzohen se kanë devijuar hetimet dhe kanë shpërdoruar detyrën, pasi kanë fshehur provat kompromentuese për ish zv. kryeministrin, Arben Ahmetaj.
Gazetari denoncoi fshehjen e e-maileve nga kompjuteri i Klodian Zotos, që vërtetonin pagesa disa mijëra euro për hotele të paguara për llogari të Arben Ahmetajt dhe bashkëjetueses së tij Erjola Hoxha.
Në hetimet prej 13 ditësh për këtë skandal që është përfshirë Ahmetaj, SPAK nuk sqaron nëse janë bërë verifikimet në kompjuterin e Klodian Zotos, dhe a janë përfshirë këto fatura për ish Ministrin e Ekonomisë.
Nxitimi për të mbyllur këtë hetim, ngre dyshime nëse Ahmetaj do të merret i pandehur, pasi figuron që ka firmosur disa dokumente si Ministër i Zhvillimit Ekonomik, ku ka shprehur dakordësinë për dhënien me koncesion të Inceneratorit të Elbasanit dhe atij të Fierit./TCH