Një aksident i rëndë me pasojë vdekje ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në rrugën nacionale Leposaviç-Mitrovicë, Kosovë, ku një makinë ka përfunduar në lumen Ibër.
Për arsye ende të paditura, drejtuesi i makinës ka humbur drejtimin e mjetit, duke rënë në lumë.
Sipas policisë në Kosovë, trupi i pajetë i viktimës është gjetur në orët e para të mëngjesit sot, kur ekipet e shpëtimit kanë arritur të nxjerrin automjetin nga lumi, së bashku me shoferin i cili ishte pa shenja jete.
Njoftimi i policisë
“Në rrugën nacionale Leposaviq-Mitrovicë, ka ndodhur një aksident trafiku në të cilën është përfshirë një veturë, e cila derisa ishte në lëvizje (drejtuesi i panjohur) dyshohet për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë dhe kushteve atmosferike-mjegullës, ka humbur kontrollin dhe ka përfunduar në lumin ‘Ibër’”.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe zjarrfikësit, në kërkim të drejtuesit dhe veturës të cilët gjatë natës nuk kanë arritur ta gjejnë. Kërkimi ka vazhduar në orët e hershme të mëngjesit, ku është gjetur dhe nxjerrë automjeti së bashku me vozitësin i cili ishte pa shenja jete. Lidhur me rastin është informuar edhe prokurori kompetent për të vazhduar me procedurat e mëtejme”