Kreu i PD Sali Berisha ka marrë pjesë në ceremoninë për 32 vjetorin e themelimit të kësaj force politike në Durrës.
Berisha u shpreh se Durrësi ka kontribut në ekzistencën e vendit. Më tej ai shtoi se Shqipëria ishte përcaktuar të mbetej Kuba e Adriatikut, të mbetej fener ndriçues i socializmit shkatërrimtar.
Berisha: Është një kënaqësi e madhe për mu t’ju përshëndes ju këtu, të përshëndes çdo qytetar të këtij qyteti të bekuar, të këtij qyteti të mrekullueshëm, të këtij qyteti që ka ndër kontributet më thelbësore në ekzistencën e këtij kombi dhe ekzistencën e këtij vendi. Themelimi i PD dhe vendosja e saj në krye, në udhëheqje të lëvizjes antikomunist, ishte një zhvillim i jashtëzakonshëm, për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Cilido që rikthehet në atë kohë në memorien e tij, cilido që lexon sot për atë kohë, do të gjente se Shqipëria ishte përcaktuar të mbetej Kuba e Adriatikut, të mbetej fener ndriçues i socializmit shkatërrimtar.
Më 2 korrik, mijëra të rinj, me guxim epik, rrëzuan Murin e Berlinit në Tiranë. Por, në atë kryengritje paqësore, njeriu që luajti rol më kryesor ishte diplomati që kryente funksionet e ambasadorit gjerman, Verner Dol. Ai shkruan se qeveritë nuk ishin dakord, Shqipëria ishte parashikuar të mbetej siç ishte.
Natyrisht ai nuk dëgjoi qeveritë, ai ishte një diplomat i madh, që bëri gjithçka që shqiptarët t’i mbështesë në atë kryengritje.
Ju solla këtë episod për të treguar se në çfarë shkalle të mesme ishte izolimi i shqiptarëve dhe se çfarë rëndësie jetike pati revolucioni i udhëhequr nga PD.