Një operacion i policisë së Shkodrës për heqjen e të gjitha kamerave të vendosura në lagje të qytetit nga eksponentë kriminal ka vijuar.
Kësaj rradhe janë sekuestruar 38 kamera që i shërbenin informimit të kontigjentit kriminal, të instaluara në 3 lagje shumë të frekuentuara të qytetit.
Mbështetur nga shërbimet operacionale dhe ato të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, strukturat hetimore të DVP Shkodër kanë çmontuar dhe sekuestruar 38 kamera të tjera të dyshuara të lidhura me aparate të ndryshme celulare, të cilat u evidentuan të instaluara në lagjet “Guerrile”, “Salo Halili” dhe “Kongresi i Përmetit”, Shkodër
Kamerat e sekuestruara ishin vendosur pa lejen përkatëse të organeve kompetente. Vendosja e tyre është në kundërshtim me ligjin 9887, të datës 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” dhe përbën veprën penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, që parashikohet nga neni 121 i Kodit Penal.
Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijon puna intensive për identifikimin e shtetasve që kanë instaluar këto kamera, si dhe për zbardhjen e plotë të qëllimit të vendosjes së tyre.
Më herët, gjatë fazës së parë të planit operacional policor të koduar “Fijet”, u çmontuan 21 kamera të instaluara nga rrethrrotullimi “5 Heronjtë” deri tek rrethrrotullimi i parë i bypassit të Shkodrës dhe nga rrethrrotullimi “5 Heronjtë” deri te rrethrrotullimi i Dobraçit.