Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi ka deklaruar se marrëveshja mes Sali Berishës dhe Vangjel Dules e ka siguruar atë që të dalë i vetëm në zgjedhjet e 14 majit. Ai ka shprehur interes për bashkinë e Himarës, sepse thotë se ajo nuk është minoritare.
“Eksperienca politike më çonte në një parashikim të tillë të ngjarjeve. Ajo çka ne e kemi marrë vendim me kohë dhe jo sot ishte që do të garonim vetëm. Sigurisht që marrëveshja e Berishës me Dulen dje akoma më shumë e bëri më të qartë për ne që kishim marrë vendimin e duhur.
PD-ja i ka lënë 3 zona të lira, por njëra prej tyre më bën më shumë përshtypje. Ajo është Himara sepse nuk është zonë minoritare.
Gjatë vizitës së kryeministrit grek, Berisha tha se Himara nuk është zonë minoritare. Megjithatë, ky është problemi i tyre. Shumë herë ne na shohin si derivat të dikujt. Ne kemi parë të arsyeshme që të kishim një përfaqësim politik tonin. Ne garojmë për të shtyrë interesat e elektoratit që përfaqësojmë”, tha Shpëtim Idrizi në A2CNN.
Kujtojmë se, të mërkurën kryetari i Parisë Demokratike, Sali Berisha firmosi një marrëveshje bashkëpunimi me kreun e PBDNJ, Vangjel Dule duke i lënë këtij të fundit të garojë për 3 bashki, Himarë, Finiq dhe Dropull.