Ukraina po përballet me një situatë “shumë të vështirë” në rajonin lindor të Donetskut dhe ka nevojë për furnizime më të shpejta me armë dhe lloje të reja armësh për t’i bërë ballë sulmeve ruse , tha sot presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
“Situata është shumë e rëndë. Bakhmut, Volendar dhe zona të tjera në rajonin e Donetskut — ka sulme të vazhdueshme ruse,” tha Zelensky në fjalimin e tij të filmuar të natës.
“Rusia dëshiron të vazhdojë luftën dhe të lodhë forcat tona. Pra, ne duhet ta bëjmë kohën armën tonë. Ne duhet të përshpejtojmë ngjarjet, të përshpejtojmë furnizimet dhe të hapim opsione të reja armësh për Ukrainën”, shtoi ai.
Kritikon përpjekjet për të lejuar kthimin e Rusisë në Lojërat Olimpike
Presidenti i Ukrainës tha gjithashtu se lejimi i Rusisë për të konkurruar në Lojërat Olimpike të Parisit 2024 ishte një shenjë se “terrorizmi është disi i pranueshëm”.
“Përpjekjet e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar për të rikthyer atletët rusë në Lojërat Olimpike janë përpjekje për t’i thënë të gjithë botës se terrorizmi është disi i pranueshëm,” tha Zelensky.
Presidenti ukrainas theksoi gjithashtu se Rusia nuk duhet të lejohet të përdorë (Lojërat) ose ndonjë ngjarje tjetër sportive si propagandë për agresionin e saj ose shovinizmin shtetëror.