Sipas kryeministrit për këtë çështje për të cilën veç mediave po reagon prej disa ditësh dhe opozita, po abuzohet dhe po shpifet. Por, në fakt, një dokument me pesë faqe që Dosja.al e sjell sot tregon të kundërtën.

Mesditën e 27 tetorit të vitit të kaluar, hakerat iranianë të grupit ‘Drejtësi për atdheun’ goditën vetë kryeministrin pas një sërë sulmesh të realizuara ndaj faqeve qeveritare, duke zbuluar kështu fluturimet e tij në dy vitet e fundit dhe duke i dhënë një “armë” të fortë në dorë Opozitës që e akuzon kryeministrin se ka harxhuar plot 22 milionë euro për të fluturuar privatisht me para publike. Opozita akuzoi kryeministrin duke kërkuar edhe ngritjen e një komisioni hetimor për të hetuar orët e qëndrimit në ajër të Kryeministrit, por kërkesa u rrëzua, ndërsa Kryeministri u mbrojt duke thënë se ai i bënte reklamë Shqipërisë. 

“I Zot të qash a të qeshësh, vetëm këtu bën vaki të të dyndin me shpifje dhe të të thonë bëj transparencë! Po si bëhet kjo transparenca kur u tregon shifrat dhe bëjnë sikur nuk kuptojnë?! Po kur thonë pse i bën reklamë Shqipërisë? Po kujt t’i bëj, kanaleve, portaleve apo rublave?! Lëre pastaj kur thonë me charter udhëtojnë vetëm sheikët e diktatorët, ndërkohë që tërë qeveritë e rajonit, se Europës po e po, kanë avionët e tyre përjashto Shqipërinë e Kosovën! Ne s’e blejmë dot,me qera s’e marrim dot,ndaj kemi blerë orë fluturimi me marrëveshje promocionale! Po ku është hilja thonë se s’ka mundësi?! Ka si s’ka! Hilja është ashiqare fare tek përpjekja non stop për ta helmuar, çoroditur, nxitur për sherr e për konflikt këtë popull me shpifje sa më të përbindshme, nisur nga gjysëm të vërteta që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha!”.-shkruante Rama në Twitter.

Në fakt, një dokument me pesë faqe që Dosja.al e sjell sot tregon të kundërtën. Kreu i qeverisë nuk ka fluturuar me çarter për t’i bërë reklamë “Air Albania” pasi nuk ekziston asnjë marrëveshje PR (Public relation) mes tij dhe kompanisë që i përket avioni ‘Airbus A319-100’, me emrin Ismail, me të cilin është akuzuar nga Opozita se ka shpënzuar të paktën 22 milionë euro për të qëndruar në ajër. Dosja.al ka sjellë marrëveshjen e firmosur me kompaninë “AirAlbania”, e cila nuk përmend në asnjë prej pikave që fluturimet e kreut të qeverisë do të jenë falas në këmbim të një reklame. Nuk bëhet fjalë për një marrëveshje promociale, por bashkëpunim dhe në dokumentin me pesë faqe, caktohen kushtet e të dyja palëve. (Shiko galerinë bashkëngjitur). 

JA KONTRATA/ Si rrëzohet alibia e Ramës për çarterat,

Edhe më herët, Birn (Reporter.al), investigoi për fluturimet e Kryeministrit duke gjetur se shpenzimet mbuloheshin nga drejtoria e Shërbimeve qeveritare. Sicc shihet edhe në kontratën mes palëve, ajo është lidhur nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare dhe kompania “Air Albania”. Pavarësisht kësaj marrëveshjeje, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare nuk ka publikuar asnjë informacion për koston e fluturimeve të kryeministrit duke i quajtur të dhëna “koefidenciale”. Sa është kostoja e këtyre fluturimeve? Pse kryeministri thotë se bëhet fjalë për një “reklamë” kur në fakt kemi një kontratë të shkruar e zeza mbi të bardhë për avionin e përdorur nga kryeministri?/Dosja.al