Ministria e Shëndetësisë së Kosovës njofton se deri në mesditën e së premtes, 1.228 qytetarë, profesionistë shëndetësorë dhe nëpunës të institucione shëndetësore janë vaksinuar kundër koronavirusit.

Në Kosovë, fushata e vaksinimit ka nisur më 29 mars, pasi shteti pranoi 24.000 doza të vaksinës së AstraZenecas. Këtë kontingjent të vaksinave, Kosova e mori falas nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Qytetarët që duan të vaksinohen mund të regjistrohen në platformën eKosova dhe sipas Ministrisë së Shëndetësisë, deri më tani janë regjistruar mbi 3.000 persona.

“Gjatë tre ditëve të para të regjistrimit përmes platformës ekosova.rks-gov.net janë regjistruar 3.256 qytetarë për vaksinim kundër COVID-19, prej të cilëve 316 persona mbi 80 vjeç; 1.435 të moshës 61-80 vjeç, kurse pjesa tjetër janë të moshës nën 60 vjeçe”, thuhet në njoftim.

Autoritetet shëndetësore kanë thënë se fillimisht do të vaksinohen profesionistët shëndetësorë, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se qeveria e tij synon që të vaksinojë kundër koronavirusit 70 për qind të popullatës.

Kosova pritet që gjatë muajit maj të pranojë edhe kontingjentin e dytë nga COVAX-i me mbi 76.000 doza. Në total, nga ky program, Kosova do të përfitojë 100.800 doza të vaksinës së AstraZenecas.

Autoritetet kanë thënë se janë në bisedime për të siguruar vaksina edhe nga kompani të tjera.

Top Channel