Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky do të marrë pjesë në samitin e BE-së në Bruksel, më 9 shkurt, si i ftuar nderi, prej ku pritet që t’iu të bëjë presion aleatëve perëndimorë që t’i japin Ukrainës avionë luftarakë “sa më shpejt të jetë e mundur” në luftën kundër Rusisë.
Presidenti ukrainas filloi një turne të papritur në Evropë më 8 shkurt, me vizita në Britani dhe Francë, duke shënuar udhëtimin e tij të dytë jashtë vendit që nga pushtimi rus, pothuajse një vit më parë.
Pas vizitës në Britani, presidenti ukrainas u nis për në Paris për darkë me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz.
Pjesëmarrja e tij në samitin e BE-së në Bruksel do të jetë “një sinjal i solidaritetit evropian”, tha kancelari gjerman Olaf Scholz, i cili u takua me Zelenskyn më 8 shkurt në Francë.
“Ukraina mund të mbështetet te Franca, partnerët e saj evropianë dhe aleatët për të fituar luftën. Rusia nuk mund dhe nuk duhet të fitojë”, tha Macron para darkës së tyre të punës.
Zyra e Macron, përmes një njoftimi për media, konfirmoi se Zelensky do të marrë pjesë në samitin e së enjtes në Bruksel, ku liderët e BE-së do të zotohen për mbështetjen e tyre për popullin ukrainas.
Turneu evropian i Zelenskyt dhë kërkesat e tij për armë më të avancuara erdhën në kohën kur Ukraina po përgatitet për një ofensivë ruse dhe po zhvillon planet e veta për të rimarrë territoret e pushtuara nga Rusia.
Mbështetja perëndimore ka qenë kyçe për mbrojtjen e ashpër të Kievit.
Zelensky, një ditë më parë, gjatë vizitës së tij në Londër, falënderoi popullin britanik për mbështetjen e tyre që nga “dita e parë” e pushtimit të Moskës gati një vit më parë, ndërsa kryeministri britanik Rishi Sunak tha se avionët luftarakë ishin “pjesë e bisedës” për ndihmën për Ukrainën.
“Asgjë nuk është jashtë tryezës”, tha ai në një konferencë shtypi në mbrëmje në një bazë të ushtrisë britanike. “Ne duhet të armatosim Ukrainën në një afat të shkurtër, por ne duhet ta mbështesim Ukrainën për një afat të gjatë”, tha ai.
Zelensky tha se Ukraina ka nevojë për të gjitha llojet e furnizimeve, jo vetëm avionë, por edhe municione dhe raketa me rreze të gjatë.
Udhëtimi i Zelenskyt në kryeqytetet evropiane të mërkurën është ushëtimi i tij i dytë jashtë vendit që nga pushtimi i Rusisë më 24 shkurt 2022.
Në dhjetor të 2022, ai udhëtoi në Uashington për t’u takuar me Presidentin Joe Biden, prej nga edhe iu drejtua Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. REL