Policia greke është vënë në alarm dhe ka nisur një operacion të gjerë nga deti e toka pasi prej një javë, në tre raste, deti ka nxjerrë në breg 163 kg marijuanë. Bëhet fjalë për tre sasi prej 134 kg, 15 kg dhe 14 kg, të dala të gjitha në bregdetin e Rethymnos.
Pakot e drogës kanë qenë të lagura me ujë deti dhe për këtë policia dyshon se ose kanë rënë ose janë hedhur nga ndonjë mjet lundrues. Ajo çka vihet re tek pakot, është se ato janë tipike të modelit “shqiptar” të shkruara sipër me sprajt duke vendosur një germë.
Pakot e nisura nga Shqipëria shpesh kanë germa të ndryshme të shkruara me sprajt me qëllim që kur të arrijnë në destinacion, të identifikohen se kujt dërguesi i përkasin dhe të shpërndahen te porositësit e duhur.
Për shembull nëse 4 persona bëhen bashkë në Shqipëri dhe paguajnë transportin e një sasie droge për në Greqi, pakot kanë 4 germa të ndryshme ose 4 paketime të ndryshme. Ato magazinohen kur arrijnë dhe në këtë vend 4 trafikantët çojnë njerëzit e tyre të cilët marrin sasinë që i takon secilit sipas pakove.