Pas bllokimit të anijes që kishte naftë kontrabandë, policia ka arrestuar shtetasin rus Alexy Smaznov 47 vjeç, i cili ishte kapiteni i anjes.

Gjithashtu është bllokuar dhe ekuipazhi i përbërë nga 22 persona.

Kujtojmë se anija ishte nisur nga Azerbajxhani dhe pretendohet se më pas është ngarkuar me naftë në portin Kallamata, Greqi, nga një anije tjetër.

Priten informacione të mëtejshme.

Njoftimi i Policisë:

Durrës/Vijojnë veprimet operacionale dhe hetimore në kuadër të operacionit policor të koduar “Embargo”.

Vihet në pranga kapiteni i anijes (shtetas rus) që transportonte 22 500 tonë naftë të kontrabanduar.

Sekuestrohen sasia e naftës së kontrabanduar dhe anija që e transportonte atë.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Durrës, strukturat qendrore të Policisë Kriminale dhe Policia Kufitare e portit të Durrësit, kanë vijuar hetimet e thelluara dhe veprimet operacionale, në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, me qëllim zbardhjen e plotë të tentativës për të futur në vendin tonë, 22 500 tonë naftë të kontrabanduar, si dhe me qëllim nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të përfshirë.

Për këtë rast, u vu në pranga kapiteni i anijes që transportonte 22 500 tonë naftë të kontrabanduar, shtetasi A. S., 47 vjeç, banues në Rusi, për veprat penale “Kontrabanda me mallrat për të cilat paguhet akcizë” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”.

Më 19 shkurt, në kuadër të operacionit “Embargo”, falë inteligjencës informative, Policia bllokoi një anije me flamur liberian, e cila transportonte 22 500 tonë naftë, me dokumentacion të falsifikuar, pasi bazuar në dyshime të arsyeshme, kjo sasi nafte e kishte origjinën nga vendet me embargo dhe ishte e kontrabanduar. Në vijim të veprimeve procedurale, Policia sekuestroi anijen dhe dokumentacionin e lundrimit të kapitenit, si dhe bllokoi ekuipazhin që përbëhej nga 22 shtetas.

Në drejtimin e Prokurorisë, po vijojnë hetimet e thelluara, me qëllim dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të kunndërligjshme, si dhe për identifikimin e personave fizikë apo juridikë të përfshirë në këtë rast.