Për shkak të stafit të pakët në kushtet e pandemisë, portet kryesore në botë kanë krijuar radhë anijesh që presin të shkarkojnë kontejnerët e nisur disa muaj më parë. Kriza e kontejnerëve ka rritur vlerën e tyre dhe transportin.

Pandemia i ka rritur kostot e transportit detar të mallrave dhe po shton presionin te zinxhiri i furnizimit në gjithë botën.

Bllokimi i një anijeje në Kanalin e Suezit tregoi javën e kaluar ndikimin e madh që ndërprerja e këtij aktiviteti ka te ekonomia globale.

Për shkak të pandemisë, udhëtimet nga deti janë reduktuar dhe stafet portuale po punojnë me kufizime, gjë që ka krijuar radhë anijesh dhe kontejnerësh që presin të shkarkohen.

Kinezët janë prodhuesit dhe eksportuesit kryesorë të kontejnerëve në botë, dhe nga kjo situatë i kanë rritur çmimet dhe raportojnë tarifa më të larta si për qiratë, edhe për transportin.

“Më parë, çmimi për transportin e një kontejneri 12-metërsh nga këtu në Amerikë kushtonte 2 deri 3 mijë dollarë, ndërsa sot shkon mbi 10 mijë dollarë.”

Në portin e Lianjungangut, ndër 10 më kryesorët e Kinës, kriza e kontejnerëve pritet të zbutet pas qershorit.

“Në Europë dhe në Amerikë ku situata me kovidin është akoma e keqe, mungesa e kontejnerëve është më e rëndë. Japonia, Koreja e Jugut dhe vendet e Azisë Juglindore janë disi më mirë, por edhe aty ka mungesa.”

Rrethanat kanë prekur edhe industrinë gjermane, ndërsa kompania daneze, “Maersk”, më e madhja në botë për transportin e kontejnerëve, raportoi gati 3 mld dollarë fitim vitin e kaluar, nga rezultati me humbje në vitin 2019, falë volumeve më të mëdha dhe çmimeve më të larta.

ora news