Ish-kryeministri Sali Berisha ka prezantuar sot në Korçë kandidaten e “Rithemelimit” për Bashkinë e qytetit, Ledina Alolli.
Gjatë fjalës së tij Berisha edhe një herë hodhi akuza ndaj ambasadores së SHBA, Yuri Kim ku tha se ajo është palë me ish-agjentin e FBI-së, Mc Gonigal. Sipas tij Kim i dha “vulën” Alibeajt.
Ai madje me tone të larta tha se Edi Rama nuk mund të korruptojë Amerikën, por mund të korruptojë Yuri Kim.
“Këtu nga Korça do t’i shtoj një pyetje Yuri Kim. Ndërhyrja jote në gjykatë kundër opozitës që e pranoi edhe vetë, në cilin parim e bazon? Të ka porositur eprori yt? Kurrën e kurrës! Eprori yt është për shtetin ligjor, për pavarësinë e drejtësisë, për vendime të pavarura, por ty të ka porositur Edi Rama.
Njësoj si ka korruptuar kundërzbuluesin e FBI-së, të ka korruptuar edhe ty. Rama nuk e korrupton Amerikën, por Yuri Kim po. Çfarë të shtyn ty zonjë? Kanë sjellë në Vlorë dy gjeneratorë gjigandë të përdorur për dekada në Bangladesh jashtë çdo standarti vijnë në gjirin e Vlorës ndërkohë se ne kemi përdorur energji më shumë se kurrë në historinë tonë. Kushtojnë 90 mijë dollarë qira për qytetarët shqiptarët dhe Yuri Kim i inaguron me praninë e saj. T’u kërkojë falje shqiptarëve për këto shushunja. Inspektori i DASH dhe Kongresi i SHBA-ve dhe FBI të hetojnë Yuri Kim në çdo qelizë sepse ajo e ka humbur reputacionin e SHBA-ve më shumë se kurrë ndonjëherë. Ta hetojnë, ta hetojnë, ta hetojnë” tha Berisha.