Një 52 vjeçar është arrestuar ndërsa dy të tjerë janë proceduar penalisht për vjedhje. Arrestimi i tyre ka ardhur pas zbardhjes së 14 rasteve të vjedhjeve në Nartë.

Njoftimi i policisë

Vlorë/Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë.

Zbardhen dhe dokumentohen 14 raste të vjedhjes, në banesa të ndryshme, në fshatin Nartë.

Finalizohet pas një hetimi disa javor operacioni policor i koduar “Storm 3”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Vlorë.

Në kuadër të operacionit është vënë në pranga një shtetas dhe janë proceduar penalisht dy të tjerë, të cilët vepronin në formën e grupit për realizimin e vjedhjeve.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë ligjore, pas një pune të mirëfilltë hetimore disajavore, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Storm 3”, si rezultat i të cilit u vu në pranga shtetasi:

– T. Ç., 52 vjeç, banues në Vlorë, për veprat penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim dhe “Shtytja e të miturit në krim”.

Në vijim të veprimeve nisi procedimi penal për djalin 14-vjeçar të shtetasit T. Ç., për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu nisi procedimi penal për shtetasin H. D., banues në Vlorë, për veprën penale “Përvetësimi i parave ose i mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale“.

Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi T. Ç. dhe djali i tij i mitur, përgjatë periudhës tetor 2022 deri në 11 mars 2023, në fshatin Nartë kanë kryer 14 vjedhje banesash, gjatë të cilave kanë vjedhur orendi shtëpiake, vegla pune, panele diellore, ventilatorë e sende të tjera.

Këta shtetas sendet e vjedhura i grumbullonin në shtëpinë e shtetasit H. D, për ti shitur me qëllim përfitimin e vlerave monetare.

Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale.