Kryeministri Edi Rama ka kërcënuar me ndërprerje fondesh nga ana e qeverisë, për të gjitha Bashkitë që në 14 Maj do të vendosin që të zgjedhin për drejtues të tyre përfaqësuesit e opozitës. Teksa ndodhej në Kamëz, ku kërkoi një mandat të dytë në krye të Bashkisë për Rakip Sulin, Rama e krahasoi atë me një gomar me ”kurriz të fortë”, i cili kërkon mbështetje të vazhdueshme nga qeveria për projekte zhvillimi të zonës.
Rama tha se lufta në 14 Maj, bëhet kundër personave të shpallur non grata nga SHBA-të, dhe sipas tij ky turp nuk mund t’i lejohet Shqipërisë.
Rama:
Kush do fusi gomarin me dy veshë të gjata në bashki, ta harrojë qeverinë. Ne nuk mundet kurrë që të na vënë para këta medemek në emër të votës, të na detyrojnë të bahskëpunojmë me individë të shpallur non grata, jo nga unë por nga SHBA-të. Me SHBA do luftojnë? Kjo nuk është sfidë, por turp dhe me këtë turp Shqipërisë ne nuk do ia lejojmë.
Të njëjtën retorikë, me ndërprerje fondesh dhe mbështetje nga qeveria për pushtetin lokal, Rama e bëri disa ditë më parë edhe në Bashkinë e Kavajës. Madje shkoi deri aty ku i kërcënoi të pranishmit, se jo vetëm nuk do tju ndërtohej stadiumi i ri i qytetit, por do ti prishej dhe ai ekzistuesi.