Rusia goditi me raketa qytete në gjithë Ukrainën në orët e para të së premtes ndërsa njerëzit flinin, duke vrarë të paktën 21 persona në sulmet e para ajrore në shkallë të gjerë prej gati dy muajsh.
Disa orë pas sulmeve, Kievi tha se po përfundonte përgatitjet për një kundërofensivë në përpjekje për të rimarrë kontrollin e territorit të pushtuar nga forcat ruse që kur nisi lufta para 14 muajsh.
Në qytetin qendror të Umanit, zjarrfikësit u përpoqën të vinin nën kontroll një zjarr të furishëm në një ndërtesë banimi që ishte përfshirë nga flakët në katin e sipërm.
Të paktën 19 persona u vranë në Uman, përfshirë dy fëmijë, dhe nëntë persona u dërguan në spital, tha guvernatori rajonal.
Në qytetin juglindor të Dnipros, një raketë goditi një shtëpi, duke vrarë një fëmijë 2-vjeçar dhe një grua 31-vjeçare, tha guvernatori rajonal Serhiy Lysak. Në sulm u plagosën edhe tre persona.
“Ekipet e shpëtimit do të punojnë derisa të sigurohen që askush tjetër të mos mbetet nën rrënoja”, tha Presidenti Volodymyr Zelenskiy në Twitter.
“Ne mund ta mposhtim terrorin rus vetëm së bashku – me armë për Ukrainën, sanksionet më të ashpra kundër shtetit terrorist, dënime të drejta për vrasësit rusë.”
Ushtria ukrainase tha se kishte rrëzuar 21 nga 23 raketa kruz të lëshuara nga Rusia.
OBJEKTET ENERGJIKE
Nuk ishte e qartë se cili ishte objektivi i Rusisë me sulmet e së premtes. Operatori kombëtar i rrjetit të Ukrainës, Ukrenergo, tha se sulmi nuk dëmtoi asnjë infrastrukturë energjetike.
Rusia filloi të kryejë sulme të tilla në fund të vitit të kaluar afërsisht çdo javë gjatë dimrit. Ato u pakësuan me përfundimin e dimrit dhe fuqitë perëndimore thanë se Moska kishte përdorur pjesën më të madhe të arsenalit të saj të raketave me rreze të gjatë veprimi, në përpjekje për të rrëzuar objektet e energjisë dhe të linte pa ngrohje qytetet e Ukrainës.