Shtatë persona janë përfshirë sot në një rrahje në hapësirat e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti tha për Telegrafin se dy nga personat kanë pësuar lëndime trupore.
“Sot kemi pranuar informatën për një rrahje në APN, ku kanë qenë të përfshirë disa persona, prej të cilëve dy persona kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtëve u është ofruar trajtim i nevojshëm mjekësor”, deklaroi ajo.
Gjithashtu, Ahmeti theksoi se shtatë personat e dyshuar janë shoqëruar në Polici.
“Lidhur me këtë rast nga njësitet policore të Lipjanit në stacion janë shoqëruar shtatë persona që dyshohet se kanë qenë të përfshirë në rrahje”, shtoi tutje ajo.
Në videot që kanë qarkulluar në rrjetet sociale shihet se gjatë rrahjes disa gra kanë tentuar t’i ndalin të dyshuarit dhe të mos përleshen fizikisht.