Një incident i rëndë detar ndodhi mesnatën e kaluar, rreth katër milje larg portit të Durrësit. Pas mbytjes së anijes së peshkimit “Elton 1”, e cila u godit nga një traget i linjës Durrës – Bari, tre peshkatarët e saj u shpëtuan nga policia kufitare e Durrësit.

Në mes të detit dhe në errësirë ata përjetuan momente tmerri. Kapiteni i peshkarexhës së mbytur Selim Agasi ende i tronditur nga gjithçka përjetoi, thotë se nuk e di kur do të kthehet sërish në det.

“I kam bërë shenjë anijes me drita, më ka ardhur dhe më ka rënë me sekonda. Ai nuk ka ndezur as drita, as sirenë. Më ka rënë dhe ka ikur”.

https://c8f9e7f51b6c6603fd68e7900605c669.safeframe.googlesyndication.com/safeframe/1-0-40/html/container.htmlNjë tjetër peshkatar i anijes së mbytur thotë se ndjehet me fat që nuk ishte në bord natën e kaluar. Peshkatarët dhe pronari i anijes ngrenë pretendimin se trageti po lëvizte jashtë trajektores së vet dhe pas goditjes fillimisht nuk ka ndaluar për t’i dhënë ndihmën e parë peshkatarëve në rrezik për jetën.

“Fati i tyre, kanë lindur për së dyti për mua. Trageti ka ikur nga vendi, ka shkuar policia t’i gjejë”.

Brenda pak minutash peshkarexha është mbytur. Ekuipazhi i përbërë nga kapiteni dhe dy peshkatarë, njëri prej të cilëve egjiptian, kanë përdorur një mjet të vogël shpëtimi që i ka mbajtur mbi ujë deri në çastin kur ka mbërritur policia kufitare.

Nga hetimet e para rezulton se peshkarexha “Elton 1”, u godit nga trageti “Marina” i linjës Durrës – Bari. Trageti po lundronte drejt portit italian, ndërsa peshkarexha po kthehej në port pas gjuetisë.

Me 194 pasagjerë në bord, trageti pezulloi lundrimin për 2 orë, për të vijuar më pas drejt Barit.

Të dyja palët kanë pretendimet e tyre, por do të jenë hetimet, që do të zbardhin incidentin e rëndë. Pas shpëtimit të jetëve në det të hapur, një tjetër problematikë që pritet të menaxhohet nga autoritetet është ndotja detare. Peshkarexha ka qenë e furnizuar plot me karburant para daljes për gjueti.

Top Channel