Teksa na ndajnë pak orë nga zgjedhjet lokale të 14 majit, Policia e Shtetit ka dhënë një deklaratë lidhur me procesin zgjedhor dhe mbarëvajtjen e saj.
Policia e Shtetit deklaroi se janë 4088 objekte që do të ruhen nga punonjësit e policisë dhe vijon marrja në dorëzim edhe e objekteve të tjera.
Një apel pati për të gjithë qytetarët dhe subjektet e përfshira në këtë proces, që të respektojnë plotësisht të gjitha detyrimet ligjore me të cilat i ngarkon Kodi Zgjedhor dhe ligjet e tjera.
Gjithashtu, Policia e Shtetit garanton qytetarët se ka ndërmarrë të gjitha masat, që e drejta e tyre kushtetuese për zgjedhjen e përfaqësuesve të pushtetit lokal, të ushtrohet e lirë, e qetë, e pacenuar dhe e paintimiduar prej askujt.
Njoftimi i policisë
Policia e Shtetit, në zbatim të detyrave institucionale që i përcakton ligji në kuadër të procesit zgjedhor për organet e qeverisjes vendore, po kryen me angazhim maksimal dhe përgjegjësi detyrat e saj.
Punonjësit e Policisë, të planëzuar në të gjithë vendin, për ruajtjen e objekteve zgjedhore, janë paraqitur pranë KZAZ-ve dhe vijon procesi i shoqërimit të komisionerëve me materialet zgjedhore dhe marrja në ruajtje e objekteve zgjedhore ku do të administrohen materialet zgjedhore.
Në të gjithë vendin, deri në këto momente, janë marrë në dorëzim nga punonjësit e Policisë, për ruajtje, 4080 objekte dhe vijon marrja në dorëzim edhe e objekteve të tjera.
Ruajtja e objekteve zgjedhore do të vazhdojë deri ditën e nesërme, kur pranë tyre do të fillojnë normalisht punën, komisionet e qendrave të votimit dhe komisionet zonale të administrimit zgjedhor.
Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit funksionon grupi i drejtimit, për menaxhimin e masave të sigurisë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, me qëllim vlerësimin e çdo informacioni nga të gjitha burimet, si dhe për verifikimin, analizimin dhe ndjekjen e tij.
Punonjësit e Policisë raportojnë në kohë reale te grupi i Drejtimit në DPPSh, nëpërmjet sistemit të menaxhimit të procesit të marrjes në dorëzim të objekteve zgjedhore, dorëzimin e objekteve dhe deri në përfundim të procesit.
Policia e Shtetit është tejet e vendosur dhe e angazhuar për të mbajtur në kontroll të plotë të gjithë territorin e vendit, me qëllimin e vetëm, sundimin e ligjit.
Në këtë kuadër, Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët dhe subjektet e përfshira në këtë proces, që të respektojnë plotësisht të gjitha detyrimet ligjore me të cilat i ngarkon Kodi Zgjedhor dhe ligjet e tjera.
Gjithashtu, Policia e Shtetit garanton qytetarët se ka ndërmarrë të gjitha masat, që e drejta e tyre kushtetuese për zgjedhjen e përfaqësuesve të pushtetit lokal, të ushtrohet e lirë, e qetë, e pacenuar dhe e paintimiduar prej askujt.