Një ish inxhinier në Google dhe aktualisht drejtues i ekipit të inxhinierëve në Twitter u përball me një situatë mjaft të çuditshme, ku pa se siguria e smartphone-it të tij gjatë natës mund të ishte kompromentuar. Përmes shërbimit privacy dashboard, ai pa se WhatsApp kishte aksesuar mikrofonin të paktën 9 herë përgjatë natës, dhe pse vetë ai nuk e kishte përdorur aplikacionin gjatë kësaj kohe.
Foad Dabiri e publikoi këtë problem në Twitter gjatë fundjavës, të shoqëruar me screenshot-in që tregonte se WhatsApp kishte aksesuar mikrofonin e pajisjes disa herë gjatë orëve të para të mëngjesit. Duke marrë në konsideratë dhe problemet e tjera me privatësinë që kanë aplikacionet e Meta, ky postim tërhoqi shumë vëmendjen e publikut.
As Elon Musk nuk shpëtoi pa e parë këtë tweet, dhe tregoi mendimet e tija jo shumë të mira rreth privatësisë së aplikacioneve të Meta. “WhatsApp nuk mund të besohet,” tha ai përmes një komenti.
Komentet e tij nuk u ndalën vetëm me kaq, pasi nisi të diskutonte me persona të ndryshëm në Twitter mbi teori të ndryshme se si Facebook spiunon përdoruesit apo se si shumë njerëz ende nuk e dinë që WhatsApp është nën pronësinë e Meta.