Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shpalli të mërkurën më 24 maj vendimin për shkarkimin nga detyra të prokurorit të Tiranës, Petrit Hysa. Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupa e KPK-së e kryesuar nga Alma Faskaj, me relatore Etleda Çiftjan dhe anëtar Olsi Komicin.

Gjatë seancës dëgjimore më 22 maj, Hysa dha shpjegime për bilancet negative në krijimin e pasurive, për dyshimet e ngritura lidhur me burimet e krijimit, si dhe për disa çështje në aspektin profesional për të cilat i ishte kaluar barrë prove.

Petrit Hysa ka punuar fillimisht si hetues në Dibër dhe në Mat në vitet 1986-1991. Ai është rikthyer në sistemin e drejtësisë në vitin 1997 si prokuror në Prokurorinë e Pogradecit dhe në vitin 1999 u transferua në Tiranë në cilësinë e zëvendësdrejtuesit.

Prej asaj kohe dhe deri në shkarkimin nga detyra e ushtroi funksionin e prokurorit në kryeqytet.