Korça sot feston edicionit e 16-të të karnavaleve, që përkon edhe me çeljen e sezonit turistik. Festa ka nisur prej mëngjesit dhe do të kulmojë me aktivitete deri në darkë. Gazetari Arlind Isa po ndjek nga afër aktivitetin gjatë gjithë ditës. Në një lidhje live për ABC News, gazetari tha se do të marrin pjesë 30 grupe të ndryshme nga vendi por edhe nga vende të tjera, si Maqedonia e Veriut, Greqia, Bosnja e Hercegovina.

ADVERTISING

“E veçanta e këtij viti është është masiviteti i tij, fakti se do të marrin pjesë 30 grupe artisitike, kryesorët janë shqiptarët por do të ketë pjesëmarrës nga shtetet fqinje duke përfshirë Greqinë, Maqedoninë, Bosnje dhe Hercegovinën. Ajo që po ndodh aktualisht është një ecje e vogël në zonën e Pedonales për të mbërritur në Katedralen e qytetit, ku do të jetë edhe skena e madhe e mbrëmjes së ditës së sotme. Simbolika e kësaj ecje është fakti që të gjithë qytetarëve duhet t’u jepet mesazhi se sot është një ditë feste dhe që ka një motiv më shumë për të dalë në qytet edhe në rrugicat karakteristike të Korçës i veshur me një kostum dhe me një maskë.“, tha gazetari.

Karnavalet kanë filluar të festohen në Korçë para viteve ’40, periudhë në të cilën jeta kulturore në këtë qytet ka qenë e larmishme. Megjithëse një festë pagane, Karnavalet më vonë festoheshin ditën e Ndjesave në muajin Shkurt. Veç individëve të shumtë të veshur karnavale, kishte edhe grupe me kitara, këmbajka dhe maska butaforike si koka kafshësh dhe njerëzish.

Karnavalet e Korçës morën një hov të madh pas krijimit të shoqërive kulturore si “Rinia Korçare” etj. Në këtë periudhë karnavalet shoqëroheshin me mandolina, kitara dhe këngë humoristike. Festimi i Karnavaleve u ndërpre pas viteve 60, për të rifilluar në kushte të tjera shoqërore pas viteve ’90./abcnews.al