Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë duke shqyrtuar dy faza të masave kundër Kosovës nëse ajo nuk përmbush detyrimet dhe përshkallëzon situatën në veri, duke përfshirë edhe sanksionet kundër kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla
Faza e parë e sanksioneve do të parashikonte ngrirjen e fondeve të BE-së, si dhe procesit të liberalizimit të vizave, anëtarësimit në Këshillin e Evropës, fondet e SHBA-së dhe projekte të tjera të financuara nga perëndimi.
Faza e dytë do të kishte në qendër të vëmendjes aleatët e Kosovës që të mbanin një qëndrim pasiv ndaj fushatës së mosnjohjes së Serbisë kundër Kosovës, riorganizimit të pranisë ushtarake ndërkombëtare dhe reduktimit serioz të kontingjentit amerikan dhe përjashtimit të Kosovës nga disa organizata ndërkombëtare.
Masat parashohin edhe sanksione individuale ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të Brendshëm Sveçla, përfshi këtu edhe shpalljen e tyre “non grata”, nëse përshkallëzohen tensionet, “me justifikimin se ato përbëjnë një kërcënim për sigurinë dhe paqen”.
Në dokument thuhet se “komuniteti transatlantik ka një nevojë jetike për të mos lejuar një tjetër krizë prapa linjave të kontaktit me Rusinë… Me nisjen e planit franko-gjerman, ekzistonte bindja se do të lindnin probleme me palën serbe, pasi një anë kokëfortë dhe jokonstruktive.”
Sipas dokumentit, “askush nuk e priste që do të ishte Qeveria e Kosovës ajo që me veprimet e veta do të nxiste pasigurinë dhe do të nxiste krizat dhe konfliktet”.
Teksti thekson se komunitetit perëndimor nuk i ka mbetur më durim dhe kërkon “një përgjigje të qartë nga Qeveria e Kosovës. A është apo jo partner i komunitetit transatlantik?” Aty thuhet se të jesh partner do të thotë përmbushje pa kushte të të gjitha detyrimeve dhe “dështimi për ta bërë këtë do të thotë pasoja”.
Krahas kritikave ndaj qeverisë aktuale, dokumenti kritikon opozitën në Kosovë dhe i akuzon ata se “nuk e kuptojnë thellësinë e seriozitetit të situatës dhe rrezikun real për Kosovën”.
Aty shtohet se opozita duhet të dalë dhe të deklarohet qartë nëse është apo jo për përmbushjen e obligimeve të Kosovës në dialog. “Fakti që opozita nuk e bën këtë gjeneron mosbesim dhe projekton oportunizëm,” shton ai.
Së fundi, teksti thotë se “nëse Kosova dështon të përmbushë detyrimet e saj, ajo rrezikon të ardhmen e saj”.
Të pyetur nëse ata ishin në dijeni të dokumentit, një zëdhënës i Komisionin Evropian u përgjigj: “Ne nuk komentojmë për rrjedhjet e supozuara të informacionit, dhe në veçanti jo për diçka që pretendon të jetë një dokument i supozuar i një vendi të tretë në lidhje me veprimet e supozuara të BE-së.”
Top Channel