Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, ku ka thwnw se veprimi i djeshëm i Serbisë ishte veprim agresor, të cilët rrëmbyen tre zyrtarë të policisë në brendi të territorit të Kosovës.
“Rasti i ndjeshëm ishte agresion ndaj shtetit tonë demokratik, hakmarrje ndaj policisë që po lufton krimin, dhe intencë për eskalim dhe destabilizim ku ne tashmë kemi propozuar planin pesë pikësh për de-eskalim dhe normalizim”, tha Kurti.
Kryeministri ka shtuar se cenimi i djeshëm i kurfirit nga Serbia na detyron që të rrisim kontrollet kufitare.
“Varësisht nga analizat dhe vlerësimet e institucioneve të sigurisë mund të përfshijnë edhe ndalesa të qarkullimit në raste kur vlerësohet se mund të përbëjnë rrezik. Veprimet e radhës do të ndërmerren në bazë të rekomandimeve të institucioneve përkatëse”, tha Kurti.
Kurti shtoi se synimi ynë është siguria e siguria fillon tek kufijtë.
“Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve policorë të rrëmbyer dhe ftojmë faktorin ndërkombëtar që ta dënojnë këtë akt agresioni të Serbisë dhe të bëjnë trysni mbi Beogradin zyrtar”, tha kryeministri.
Kreu i Qeverisë tha se është e çuditshme sesi faktori ndërkombëtar po hesht ndaj veprimeve të Serbisë.
“Serbia nuk ka ndryshuar me qëllime, motive e apetite nuk është se po na befason me sjelljen e saj. Ajo çfarë është e çuditshme është heshtja dhe toleranca e faktorëve ndërkombëtar ndaj veprimeve të Serbisë, e cila vazhdimisht kërkon pretekste për eskalim dhe destablizim. Rrëmbimi i tre policëve është dëshmia më e qartë për këtë”, tha Kurti.
Kryeministri i Kosovës tha se është detyrë e KFOR që deri tani të kishte grumbulluar informacion në lidhje me rrëmbimin e 3 policëve. Gjatë ditës së sotme, Kurti tha se pritet që të ketë përpjekje për të hyrë në burgjet serbe ku po mbahen 3 zyrtarët e marrë peng sipas tij.