Presidentja Vjosa Osmani tha se sot i është bërë një dëm i madh institucioneve nga dhuna e përdorur në Kuvendin e Kosovës.

Osmani shkroi në Facebook se “dhuna nuk ka vend në tempullin e demokracisë” dhe se ajo “nuk mund të shndërrohet në mjet politik”.

“Përdorimi i dhunës fizike si mjet për t’i adresuar pakënaqësitë, dallimet apo mosmarrëveshjet politike është dëmi më i madh që mund t’i bëhet institucioneve që janë ndërtuar me aq shumë mund e sakrificë”, shkroi Osmani.

“Kuvendi është gurthemeli i shoqërisë sonë demokratike, ku zëra të ndryshëm bashkohen për t’i përfaqësuar interesat e qytetarëve, ndaj dhuna nuk ka vend në tempullin e demokracisë dhe nuk mund të shndërrohet në mjet politik”, shtoi presidentja.

Osmani tha se ;”duhet ta riafirmojmë përkushtimin tonë ndaj demokracisë, mendimit ndryshe, sikurse edhe respektit të ndërsjellë, duke u mbështetur në sundimin dhe respektimin e ligjit”.